Një 26-vjeçar është arrestuar në Elbasan në kuadër të operacionit “Tempulli”.
Ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Njoftimi i policisë:
Vijon megaoperacioni policor mbarëkombëtar i koduar “Tempulli”, ndërsa në pranga përfundoi një 26-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim.
Shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Elbasan, pas shkëmbimit të informacioneve me shërbimet e DVP Tiranë, bazuar dhe në inteligjencën informative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Tempulli”, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat, në lagjen “28 nëntori”, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasi E. K., 26 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.
Veprimet e mëtejshme procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga strukturat e DVP Tiranë.