Kryeministri Edi Rama ka uruar nëpërmjet një postimi në Facebook, liderin historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, në ditën e tij të lindjes, ndërsa po e kalon në spital.
Në urimin e tij, Rama shkruan se Nano “mbajti timonin e PS në të përpjeta e të tatëpjeta dhe padiskutim është e tija në radhën më të parë, merita që Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment, nga graviteti i interesit kombëtar”.
Urimi i kryeministrit Edi Rama
FATOS NANO u gjend në krye kur armata e shpartalluar komuniste kryente funeralin e Partisë së Punës në mes të shkretëtirës, me flamurin e rreckosur të diktaturës së proletariatit në gjysëm shtizë, moralin nën shuajt e këpucëve të rraskapitura nga marshimi 45 vjeçar drejt horizontit që vetëm largohej derisa u zhduk dhe gurmazin e konsumuar të komunizmit që nxirrte thirrjet e fundit për luftë me tërë botën, teksa era e papërmbajtshme e ndryshimit e kthente vajtimin e egër të dëshpërimit, në një fishkëllimë sa çjerrëse aq edhe qesharake.
Mes fytyrave verdhacuke të udhëheqësve gjemimbytur nga ardhmja e qametit dhe sekretarëve lëkurërreshkur nga dielli i arafabrikakantiereve, “Qorri” ishte aty fytyra e dykuptimtë e kuadrit të ri të partisë, që punonte në Institutin e Marksizëm-Leninizmit dhe e presorit garip të Ekonomikut, që tregonte barcaleta tallëse për regjimin e luante Bitëllsat me kitarën e tij.
Ishte pikërisht profili joskematik i Fatos Nanos që i dha atij skeptrin e të majtës së porsalindur pas varrimit të Partisë së Punës dhe natyra e tij jodogmatike, e kombinuar me burgosjen absurde që e pagëzoi si lider të pakonkurueshëm të socialistëve, i dha Partisë Socialiste një frymëmarrje të re e një perspektivë si forcë e parë në rrugën e përpjetë të politikës shqiptare.