Një ngjarje e rëndë u regjistrua paraditen e kësaj të hëne në Burrell. Një fëmijë dy vjeç ka ndërruar jetë rrugës për në spital, ku po transportohej nga punonjësit e çerdhes pasi kishte humbur ndjenjat.
“Një fëmijë i mitur i moshës 2-vjeç, në ambientet e çerdhes nr 2, në Burrel ku ishte dërguar nga prindërit ka shfaqur probleme shëndetësore dhe menjëherë është dërguar nga dy edukatore në urgjencën e spitalit të Burrelit. Për pasojë i mituri ka humbur jetën në spital.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njofton policia.
Mësohet prej 1 muaji, i mituri kishte pasur herë pas here probleme me shëndetin, me të vjella dhe temperaturë.
Ndërkohë, ditën e sotme ishte dërguar në çerdhe nga prindërit dhe një orë më vonë ishte ndjerë keq.
Nga hetimet paraprake, ka dyshime se fëmija ka pasur temperaturë dhe për pasojë ka humbur ndjenjat, ndërsa mjeku i tij e cilësoi si vdekje të papritur.
Ai tha mes të tjerash se fëmija nuk ka pasur asnjë sëmundje kronike.