Nuk duroni dot zhurmën kur dikush ha? Me shumë mundësi vuani nga ky çrregullim

Shumë njerëz shqetësohen nga zhurmat e përtypjes së ushqimit dhe as nuk janë të vetëdijshëm se vuajnë nga një gjendje e pazakontë.

Shkencëtarët britanikë thonë se mizofonia është një problem i vërtetë shëndetësor që prek 18 për qind të të rriturve. Megjithatë, kjo dallon nga shqetësimi i lehtë që përjetoni ndërsa dëgjoni personin pranë jush duke përtypur ushqimin e tij.

Mizofonia mund t’i lërë të sëmurët të ndihen “të bllokuar” apo edhe “të pafuqishëm” dhe shpesh mund të çojë në prishjen e lidhjeve mes çifteve dhe miqësive.

Nuk është vetëm përtypja ajo që mund t’i shqetësojë njerëzit kur hanë me shoqëri. Këtu përfshihet gllënjka dhe frymëmarrja e rëndë.

Mizofonia është një çrregullim në të cilin tinguj të caktuar shkaktojnë përgjigje emocionale ose fiziologjike që disa mund t’i perceptojnë si të paarsyeshme duke pasur parasysh rrethanat.

Ata që kanë mizofoni mund ta përshkruajnë atë si një tingull “qe të çmend”. Reagimet e tyre mund të variojnë nga zemërimi dhe bezdisja te paniku dhe nevoja për të ikur.

Nuk është përcaktuar nëse mizofonia është një gjendje gjenetike apo rezultat i traumave të mëparshme, dhe kërkimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse gjendja shkaktohet nga një problem dëgjimor apo neurologjik në tru.


Shtuar 4.09.2023 20:21