Hamendjet dhe spekulimet po shoqërojnë lajmin se udhëheqësi mercenar rus, Yevgeni Prigozhin ishte pasagjer në një avion që u rrëzua të mërkurën në Rusi.
Agjencia e aviacionit civil të Rusisë me shpejtësi njoftoi se ai ishte në avionin që u rrëzua, por analistët thonë se në Rusi rrallë herë gjërat janë ashtu siç duken në sipërfaqe dhe nuk ka ende një konfirmim të pavarur për vdekjen e tij.
“Agjencia Federale e Transportit Ajror ka publikuar një listë të pasagjerëve të aeroplanit privat që u rrëzua dje. Në bord ndodheshin 10 persona, mes tyre edhe Yevgeny Prigozhin”, tha të mërkurën një nga prezantuesit e lajmeve të një prej televizioneve shtetërore ruse.
Mediat shtetërore ruse e kanë raportuar me detaje rrëzimin e aeroplanit, por në raportimet e mëngjesit të enjten, emri i Prigozhinit nuk është përmendur më.
Udhëheqësi mercenar drejtoi një kryengritje të shkurtër kundër ushtrisë ruse më herët gjatë këtij viti. Mbështetësit e tij pretenduan në kanalet e aplikacionit Telegram se avioni ishte rrëzuar qëllimisht, duke thënë se mund të ishte goditur nga një raketë e mbrojtjes ajrore ose të ishte vënë në shënjestër nga një bombë në bord.
Presidenti Joe Biden thotë se ai nuk e di se çfarë ndodhi, por “nuk është i befasuar”.
“Ka pak gjëra që ndodhin në Rusi pas të cilave nuk qëndron presidenti Putin… Nuk e di me të vërtetë se çfarë ka ndodhur, por nuk jam i befasuar”, tha presidenti Biden.
Rrëzimi i avionit ngjalli menjëherë dyshime pasi fati i Prigozhinit ka qenë objekt spekulimesh që kur ai nxiti kryengritjen.
Presidenti rus e denoncoi kryengritjen si “tradhti” dhe “thikë pas shpine” dhe u zotua se do të hakmerrej. Por akuzat kundër tij u tërhoqën shpejt. Shefi i Wagner-it, trupat e të cilit ishin disa nga forcat më të mira të Rusisë në Ukrainë, u lejua të shkonte në Bjellorusi, ndërsa thuhet se shfaqej herë pas here në Rusi.
Ndërsa vazhdojnë spekulimet, analistët dhe politikanët kujtojnë se kundërshtarë dhe kritikë të shumtë të presidentit rus janë vrarë ose janë sëmurë rëndë në ato që janë cilësuar si përpjekje për eliminimin e tyre.
“Ne e dimë si shkojnë këto gjëra në Rusinë e Putinit, vdekjet dhe vetëvrasjet e dyshimta, rënia nga dritaret – të gjitha mbeten të pashpjegueshme… Por, nuk është rastësi që e gjithë bota shikon menjëherë drejt Kremlinit kur një ish bashkëpunëtor i tij bie befas nga qielli, dy muaj pasi ai nxiti një kryengritje”, thotë ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock.
Keir Giles, një ekspert për Rusinë në grupin për çështjet ndërkombëtare Chatham House, bëri thirrje për kujdes në lidhje me raportet për vdekjen e Prigozhinit. Ai tha se “ajo që thotë shteti rus shpesh është shumë e ndryshme nga ajo që ka ndodhur në jetën reale”.
“Ka vlerësime se Prigozhin mund të ketë inskenuar vdekjen e tij sepse ai tashmë e di se është një njeri i vënë në shënjestër. Sapo u rebelua kundër Moskës, ai u kthye në një objektiv ”, vlerëson zoti Giles.
Dmitry Oreshkin, profesor në Universitetin e Lirë në Riga të Letonisë, tha se ai beson se incidenti kishte për qëllim të tregonte se presidenti Putin e ka nën kontroll vendin dhe se burimet e pushtetit janë në anën e tij.
“Ky është një veprim demonstrues. Prigozhin mund të ishte helmuar në heshtje dhe ai do të kishte vdekur nga një goditje në zemër, si shumë kundërshtarë të mëparshëm të Putinit … Kushdo që guxon të cenojë, do t’i këputet koka shpejt. Në këtë kuptim, Putini ka zgjedhur versionin më pak të pakëndshëm. Ai tregoi se e kishte situatën nën kontroll”, vlerëson profesori Oreshkin.
Nëse Prigozhin vërtet është vrarë, ekspertët mbi Rusinë nuk e vënë në dyshim se Kremlini qëndron pas kësaj, por analistët Giles dhe Oreshkin kanë qëndrime të ndryshme se çfarë pritet të jenë pasojat pas rrëzimit të avionit.
“Putini del më i fortë nga kjo situatë. Kjo formë teatrale e trajtimit të një kundërshtari në Rusi është normë për të demonstruar se nuk duhet të ngriheni kundër pushtetit. Për sa kohë që Prigozhin mbetej gjallë, ai vendoste një precedent të rrezikshëm”, thotë Giles.
“Në përgjithësi, është e qartë se ky është fillimi i rënies së agresionit të Putinit në Ukrainë. Para kësaj, kishte një fazë plot entuziazëm. Pastaj një fazë neutrale, e mbushur me mohim të realitetit nga ana e opinionit publik dhe tani fillon faza e zhgënjimit. Do të zgjasë gjithashtu për disa muaj dhe, me sa duket, kjo tashmë është e pakthyeshme”, vlerëson profesori Oreshkin.
Presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskiy e pranoi se nëse udhëheqësi mercenar rus vërtetë ka vdekur, ky është një lajm i mirë për Kievin, por gjatë takimit me homologun portugez, Marcelo Rebelo de Sousa, ai e mohoi se Ukraina është e përfshirë.
“Ne nuk kemi asnjë lidhje me ngjarjen. Të gjithë e kuptojnë se kush ka të bëjë me të”, thotë presidenti Zelensky. /VOA/