Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe në Kosovë, e ka përjashtuar të martën nga partia Besnik Mujecin, i cili është arrestuar në Shqipëri nën dyshimet për shpërndarje droge.
Mujeci, 40-vjeçar është asamblist i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Të martën, autoritetet shqiptare kanë thënë se Mujeci është në mesin e pesë të arrestuarve, të cilët dyshohen se kanë shpërndarë drogë të llojit ekstazi në lokalet e e natës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pasi kanë trafikuar lëndë narkotike nga Kosova në Shqipëri.
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka thënë pas përjashtimit të Mujecit se njerëz të tillë “nuk kanë vend në Lëvizje”.
“Komisioni Disiplinor mori vendim për përjashtimin e Besnik Mujecit nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Veprimet për të cilat është arrestuar Besnik Mujeci janë krime të rënda dhe institucionet e drejtësisë duhet ta marrin dënimin e merituar!”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.