FOTO/ Manjati 92-vjeçar shijon dashurinë me partneren e re në Korfuz, kush është shkencëtarja simpatike

Rupert Murdoch, 92 vjeç po jeton momente romantike në superjahtin legjendar “Christina O” me të dashurën e tij të re, Elena Zhukova.

Në fakt, siç raporton Daily Mail, çifti, ndodhen sot jashtë Korfuzit.

Thashethemet për të dashurën e re në jetën e Murdoch, pas ndarjes së tij disa muaj më parë me Anne Leslie Smith  (të cilën manjati e kishte përshkruar si një “dhuratë nga Zoti”), më në fund janë konfirmuar dhe 66-vjeçarja Zhukova ka rënë në mikroskopin e mediave, të cilat publikojnë detaje të ndryshme nga jeta e saj.

Madje fotot e para të çiftit janë publikuar.

Shkencëtarja simpatike në pension është nëna e Dasha Zhukova, galeristja 42-vjeçare ruso-amerikane, e cila është e martuar me Stavros Niarchos që nga viti 2020.

Ish-bashkëshorti i Dasha Zhukova, me të cilin ajo kishte dy fëmijë, është Roman Abramovich.

Çifti njoftoi ndarjen e tyre në vitin 2017, pas rreth 10 vitesh martesë.

Elena Zhukova ka punuar për vite si biologe molekulare e specializuar në diabetin. Ajo jeton në SHBA prej më shumë se 3 dekadash pasi u largua nga Rusia në 1991 me vajzën e saj.

66-vjeçarja dy herë e divorcuar ka punuar në një strukturë kërkimore në UCLA përpara se të pensionohej. Burime të gazetës britanike thonë se asaj i pëlqen shumë të kalojë kohë me nipërit e saj.

“Pushimet familjare”

Edhe pse çifti janë ende në “fazat e hershme” të lidhjes së tyre, Murdoch thuhet se tashmë ia ka prezantuar zyrtarisht të dashurën e tij fëmijëve.

Në jahtin “Christina O”, me të cilin Murdoch ka eksploruar bukuritë e ishujve grekë ditët e fundit, në bord janë edhe vajzat e tij Wendy Deng, Grace dhe Chloe, sipas gazetës britanike. /Albeu.com


Shtuar 15.08.2023 14:18