Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare iu kanë shkuar në ndihmë 12 shtetasve të cilët rrezikuan të mbyteshin në det ndërkohë që lundronin me 2 skafe.
Njëri nga mjetet lundruese (me 8 pasagjerë, 3 prej tyre të mitur) pësoi defekt në mes të detit, në Vilun, Velipojë, ndërsa mjeti tjetër lundrues (me 4 pasagjerë) u përplas me gurët dhe rrezikoi të fundosej në vendin e quajtur “Bishti i Pallës”, Durrës.
Shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin dhe të Policisë Kufitare Velipojë kanë lokalizuar mjetin lundrues skaf që kishte pësuar defekt në mes të detit dhe kanë nxjerrë në breg të detit, 8 pasagjerët e këtij mjeti lundrues, 3 prej të cilëve ishin të mitur.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare Durrës kanë marrë njoftim se një tjetër mjet lundrues skaf me 4 pasagjerë, ishte përplasur me disa gurë në vendin e quajtur “Bishti i Pallës” dhe rrezikonte të fundosej pasi kishte futur ujë.
Menjëherë pas njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare, bashkë me një mjet lundrues. Është bërë i mundur lokalizimi i mjetit që po rrezikonte të fundosej në det dhe kanë ndërhyrë menjëherë forcat policore duke nxjerrë në breg me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, 4 pasagjerët e mjetit lundrues skaf.
Të gjithë pasagjerët e 2 mjeteve lundruese skafe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore./Albeu.com/