Lituania do të mbyllë dy nga gjashtë pikat e saj kufitare me Bjellorusinë për shkak të shqetësimeve të ngritura në Vilnius nga prania e mercenarëve nga kompania ushtarake private ruse Wagner në vendin e saj fqinj, njoftoi dje zëvendësministri i Brendshëm lituanez.
“Ne po përgatisim vendimin për mbylljen e dy pikave të kontrollit”, tha Arnoldas Abramavitsos për AFP-në, ato në Sumsko dhe Tviretsos, duke sqaruar se njoftimet zyrtare do të bëhen javën e ardhshme.
Bjellorusia, një aleate e Moskës, mirëpriti mercenarët e Wagner-it pas rebelimit të tyre jetëshkurtër kundër udhëheqjes ushtarake ruse.
Udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s, Lituanisë dhe Polonisë vlerësuan këtë javë se rreth 4,000 mercenarë të saj ndodhen në tokën bjelloruse.
Të dy vendet po shqyrtojnë një lëvizje të përbashkët për të mbyllur plotësisht kufirin e tyre me Bjellorusinë, duke përmendur shqetësimet se militantët e Wagner mund të kalojnë në territoret e tyre duke u paraqitur si emigrantë, ose të përfshihen në provokime të tjera. Të njëjtën gjë po bën edhe Letonia, e cila po forcon praninë e ushtrisë në kufirin e saj me Bjellorusinë.
Polonia dhe Lituania ngritën gardhe përgjatë kufijve të tyre me Bjellorusinë dhe Rusinë, duke akuzuar Minskun dhe Moskën për orkestrimin e flukseve të migracionit drejt Bashkimit Evropian për ta destabilizuar atë.