“Dy vjet burg dhe gjobë 1 milionë euro”, Italia kërkon ta ndalojë me ligj sjelljen në jetë të fëmijëve me nënë surrogate: Është një krim

Një projektligj që propozon përcaktimin e surrogacisë një krim “universal” ka kaluar dhomën e ulët të parlamentit italian, megjithëse shumë ekspertë juridikë vënë në dyshim nëse një ligj i tillë është i zbatueshëm.

Dhoma e ulët e parlamentit të Italisë miratoi të mërkurën një projektligj që mund ta bëjë surrogacinë një krim “universal”. Surrogacia konsiderohet tashmë një krim në Itali, por tani për tani familjet që e dëshirojnë këtë mund të shkojnë jashtë vendit në vendet ku lejohet.

Ligji i ri, i mbështetur nga shumica e qeverisë së kryeministres Giorgia Meloni dhe i propozuar nga partia e saj, Vëllezërit e Italisë, propozon dënime që variojnë nga tre muaj deri në dy vjet burg dhe gjoba nga 600,000 deri në një milion euro për ata që i drejtohen surrogacisë jashtë vendit, edhe në vendet ku është e ligjshme.

Pas verës, propozimi do të shkojë në dhomën e lartë, Senat, ku mund të pësojë ndryshime.

Sipas një raporti të OpenPolis të publikuar në prill, është në Senat ku janë regjistruar votat më kritike për qeverinë aktuale; në nëntë nga 12 “rastet kritike” ajo fitoi me një diferencë prej më pak se 20 votash.

Ndërsa qeveria duket e bashkuar për këtë çështje, opozita ka qenë e përçarë, duke dështuar kështu të bllokojë propozimin e mazhorancës, i cili kaloi pa modifikime në parlament.

Sipas disa ekspertëve, ligji i propozuar ka disa aspekte ligjore problematike.

“Një normë e këtij lloji është ligjërisht e pazbatueshme dhe do të kundërshtohej menjëherë sepse shpërfill parimin e kriminalitetit të dyfishtë, i cili është themelor për ligjin. Me fjalë të tjera, të ndëshkosh një krim të kryer në një vend tjetër në Itali, duhet të konsiderohet edhe një veprim i paligjshëm atje”, tha Filomena Galli, avokate dhe sekretare e Shoqatës Luca Coscioni.

Kritikët e qeverisë e shohin ligjin si një masë propagandistike, e krijuar për të treguar se ajo po mbron “familjen tradicionale” dhe vlerat. Propozimi është dënuar, ndër të tjera, nga grupe që mbrojnë të drejtat LGBT.

Vetë Meloni kishte paraqitur më parë një projektligj për të njëjtën temë në prill të vitit 2022, por propozimi u refuzua./BIRN

 


Shtuar 27.07.2023 18:07