Presidenti Bajram Begaj thotë se do të shqyrtojë me seriozitet argumentat e paraqitura nga studentët e mjekësisë.
Presidenti zhvilloi sot një takim me studentët, të cilët kundërshtojnë që diploma t’u mbahet 5 vite peng nga shteti, pasi sipas vendimit të ri ata do të duhet të punojnë me detyrim pesë vite në Shqipëri, për tu pajisur me diplomë.
Begaj priti sot në një seancë dëgjimore një përfaqësi të studentëve të Universitetit të Mjekësisë së Tiranës dhe dëgjoi me vëmendje shqetësimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me ligjin “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”.
Ky ligj është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 21/07/ 2023 dhe është aktualisht në fazën përmbyllëse pranë Presidentit të Republikës.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, konsideron se konsultat me palët e interesuara gjatë procesit legjislativ janë një instrument i çmuar për vendimmarrjen institucionale.
Në mbyllje të takimit, presidenti siguroi përfaqësuesit e studentëve se do të shqyrtojë me seriozitet të gjitha argumentet e paraqitura prej tyre, si dhe argumentet e relatuara nga ligji para se të veprojë sipas kompetencës dhe procedurës kushtetuese./albeu.com/