A ka rëndësi informimi i publikut mbi shëndetin e udhëheqësve politikë?

Nga Jaacob Appel “The Hill”

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Që kur në fund të muajit të kaluar doli lajmi se presidenti Joe Biden përdor një aparat të presionit të vazhdueshëm pozitiv tek rrugët e frymëmarrjes (CPAP), për të trajtuar apnenë e gjumit – një gjendje që prek rreth 25 milionë amerikanë të tjerë – media ka qenë e mbushur me argumente se si sëmundja e tij mund të ndikojë tek aftësitë e tij si komandant i përgjithshëm i ushtrisë amerikane.

Ky debat pasqyron një sërë çështjesh të tjera që lidhen me shëndetin e presidentëve gjatë viteve të fundit. Disa prej tyre janë serioze, shumë të tjera janë spekulative apo të pamenduara. Ndërsa polemikat mbi supozimin se Biden përdor Botox, apo Donald Trump mban paruke, janë tërësisht të parëndësishme.

Ajo që anashkalohet në shumë prej këtyre diskutimeve, është fakti se informacioni mbi shëndetin e udhëheqësve tanë politikë përdoret minimalisht për ta informuar publikun. Shqetësimi kryesor është se shpeshherë ky informacion është i rremë ose i paplotë. Politikanët dhe mjekët e tyre luajnë një rol mbrojtës në vendosjen e informacionit që ndahet me publikun. Për shembull, ish-senatori i Massachusetts Paul Tsongas dhe mjekët e tij e siguruan publikun se ai nuk vuante nga kanceri gjatë fushatës së vitit 1992, duke mos treguar se limfoma Hodgkin i ishte rikthyer 5 vjet më parë.

Tsongas vdiq nga kjo sëmundje përpara se të mbaronte mandati i tij i parë. Më së afërmi në kohë, dr.Harold Bornstein e pranoi në vitin 2018 se kandidati Donald Trump kishte diktuar fjalë për fjalë letrën e Bornstein të vitit 2015, duke thënë se pacienti i tij do të ishte “individi më i shëndetshëm i zgjedhur ndonjëherë në presidencë”.

Ligjet që mbrojnë konfidencialitetin si Akti i Transportueshmërisë dhe Përgjegjshmërisë së Sigurimeve Shëndetësore i vitit 1996 (HIPAA), i kufizojnë më tej mjekët që mund të dëshirojnë ta paralajmërojnë publikun mbi shqetësimet shëndetësore të zyrtarëve të lartë publikë.

Zakonisht niveli i dëmtimit të pësuar gjatë krizave shëndetësore zbulohet vetëm në prapavijë. Këtu përfshihen kufizimet fizike dhe mendore të WoodrowWilson pas goditjeve të njëpasnjëshme në tru, sëmundja kardiake që e paaftësoi për shumë gjëra Franklin D. Roosevelt, mungesa e veshkave nga John F. Kennedy, konsumi i tepërt i alkoolit nga Richard Nixon apo fillimet e demencës tek Ronald Reagan.

Është e gabuar të besohet se sekrete të ngjashme shëndetësore nuk mund t’i fshihen dot medias se sotme. Në fakt mund të kalojë një brez përpara se të mësojmë në detaje nëse Biden, Trump apo ndonjë president apo kandidat tjetër ka vuajtur nga ndonjë gjendje shëndetësore serioze.

Një problem i dytë me një informacion të tillë shëndetësor është se shpesh publiku i thjeshtë nuk është në gjendje ta vlerësojë atë në ndonjë mënyrë kuptimplotë. E çfarë duhej të bënte një votues i zakonshëm pasi të mësonte se Nixon vuante nga hipertensioni me luhatje të forta, apo që kandidatët republikanë Gerald Ford, Mitt Romney dhe Bob Dole vuanin nga nivelet e larta të kolesterolit?

A duhet të ishte një kriter skualifikues diabeti i kandidatit Buddy Roemer? Po hipotireoza e Bernie Sanders? Edhe një ekspert e ka të vështirë të vlerësojë rëndësinë e disa diagnozave. Për shembull, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2008, korrespondenti mjekësor i “New York Times”, Lawrence Altman analizoi skenën e melanomës së John Mccain, duke vënë në dukje se nëse ishte një tumor i fazës II ose i fazës III – një çështje që nuk u sqarua atëherë nga shtabi i tij – dhe kjo nënkuptonte dallimin midis një jetëgjatësie 10-vjeçare me shanset 36 kundrejt 60 për qind.

Në atë kohë, Mccain i kishte mbijetuar prej 8 vitesh sëmundjes, duke e komplikuar më tej rëndësinë e të dhënave. Si një historian i mjekësisë, jam pyetur një herë se si mund të krahasoja si votues informacionin se Mccain kishte tentuar vetëvrasjen përmes varjes gjatë kohës që ishte i burgosur lufte në vitin 1968 dhe faktit që Barack Obama kishte konsumuar kanabis kur ishte i ri.

Sinqerisht, që nuk e kam idenë. Megjithatë, paralajmërimi më i rëndësishëm në lidhje me shëndetin e presidentëve dhe kandidatëve presidencialë pranohet rrallë. Edhe nëse do të zbulohej në tërësi historia e plotë mjekësore e çdo kandidati, dhe votuesit do t’i bazonin vendimet e tyre vetëm mbi gjendjen shëndetësore të tyre, kjo qasje nuk do të çonte domosdoshmërisht në zgjedhjen e presidentëve më të shëndetshëm apo më jetëgjatë.

Sepse historia ka treguar shpeshherë të kundërtën. Shembulli më i njohur është ai i Wendell Willkie, rivalit republikan të Franklin Roosevelt në vitin 1940, një 48-vjeçar që dukej shumë më në formë sesa lideri më i moshuar dhe i mbërthyer në një karrige me rrota.

Gjithsesi, sëmundjet e FDR-së nuk e penguan të ri-zgjidhej për një mandat tjetër 4 vjet më vonë, apo të drejtonte Amerikën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë Willkie vdiq nga një atak i fortë në zemër përpara zgjedhjeve presidenciale të 1944-ës. Sipas mjekut Robert Steinbrook, në zgjedhjet e vitit 1992 kandidatët George H/W Bush (68 vjeç) dhe Ross Perot (62 vjeç), kishin respektivisht në teori një jetëgjatësi prej 13 dhe 17 vjetësh.

Në fakt Bush jetoi edhe 26 vite të tjera ndërsa Perot 27. Në vitin 1996, një burrë amerikan 72-vjeçar mund të priste të jetonte rreth 84 vjet. Bob Dole u nda nga jeta në vitin 2021 në moshën 98-vjeçare. Natyra e postit të presidentit të SHBA-së nuk është e ngjashme më asnjë rol tjetër, dhe kompetencat dhe kriteret shëndetësore për të shkëlqyer në atë detyrë janë unike.

Disa nga presidentët tanë më të nderuar, nga Lincoln tek Franklin Roosevelt (FDR) tek Reagan, kanë qenë ndër më të sëmurët. Ndërsa disa nga presidentët tanë më të shëndetshëm kanë hyrë në histori si dështakë. Aftësitë që mund të jenë thelbësore në shumë profesione – shkathtësia fizike, qëndrueshmëria dhe madje edhe kujtesa e fortë – mund të jenë më pak të rëndësishme kur dikush udhëhiqet nga “ushtritë” e deputetëve dhe këshilltarëve.

Në të kundërt, gjykimi i shëndoshë, që shpesh vjen me moshën apo fatkeqësitë, është thelbësor për të mbajtur këtë post. Ekzistojnë shumë arsye pse votuesit të zgjedhin një kandidat presidencial dhe jo një tjetër.

Nuk ka asnjë provë që të sugjerojë se problemet shëndetësore serioze kanë ndonjë ndikim të rëndësishëm mbi efektivitetin e drejtimit të vendit. Duke u fokusuar në të dhënat mjekësore të kandidatëve, në vend të ideve të tyre, ne i bëjmë një shërbim shumë të keq vetes dhe kombit. Si qenie njerëzore, presidentëve tanë u uroj shëndet të gjatë dhe cilësor. Si mjek, historian i mjekësisë dhe si qytetar, jam shumë më i shqetësuar nëse ata kanë mençurinë e duhur për të na udhëhequr.

Shënim:Dr.Jacob Appel lektor në fakultetin e psikiatrisë në Shkollën e Mjekësisë Icahn, ku ai jep mësim kurrikulën e bioetikës dhe historisë së mjekësisë. Ai është autor i njëzet librave, duke përfshirë “Kush thotë se ke vdekur?” (Algonquin, 2019). /albeu.com


Shtuar 15.07.2023 10:29