VIDEO/ Banorët “zënë” derën e Bashkisë të revoltuar për projektin TID: Më lehtë takon ndërkombëtarët se Emiriana Sakon, po prishet qyteti me firmë të Ballukut e Ramës

Paraditen e sotme, përfaqësues të familjeve që preken nga projekti TID, janë rikthyer përpara bashkisë së Durrësit, duke kërkuar takim me kryebashkiaken Emirjana Sako, por që institucioni u ka mbyllur dyert.

Ndryshimi në projekt për restaurimin e objekteve të kultit (kisha katolike), që më parë ishin klasifikuar për prishje i ka detyruar banorët të kërkojnë informacion dhe transparencë, në lidhje me vijimësinë e tij.

Të lidhura

None found

Me një kërkesë të firmosur nga 20 familje i janë drejtuar autoritetit vendor, duke kërkuar transparencë dhe duke nënvizuar se do të vazhdojnë të kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre.

 

 

Një projekt që mbivendoset mbi historinë, për t’u zëvendësuar me kulla deklarojnë banorët.

Përfaqësia e banorëve i është drejtuar Bashkisë së Durrësit për të kërkuar takim me kryebashkiaken, por edhe këtë herë kanë gjetur dyert e mbyllura.

“Është më e thjeshtë të takosh përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare se kryebashkiaken Sako”, deklarojnë banorët mes të tjerash të revoltuar, teksa theksojnë se “do të kundërshtojnë prishjet e banesave”.

 

 

Ndërkohë, në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak, nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Gentian Kallmi, deklaroi se TID është në proces dhe do të verifikohet çdo rast, si në lidhje me vlerën, ashtu edhe procedurën e ndjekur.

“Po të duan të prishin bashkinë dhe jo shtëpitë. I kanë bërë lulishtet me pallate, të gjitha lulishtet i kanë bërë betona, pallate, ja tek i ke…”, shprehet një nga banoret e prekura nga projekti.

 

 

Kurse përfaqësuesja e grupit të këtyre banorëve u shpreh se Bashkia e mban informacionin në terr dhe po veprohet në mënyrë të paligjshme, teksa procesi gjyqësor vijon.

“Kemi çuar një kërkesë për informacion një grup prej 20 personash, por Bashkia po bën veprime jo transparente, flitet për VKM të re pa konsultim me ne, flitet për prishje, me çfarë vendimi është bërë kjo, ne jemi në proces gjyqësor për shfuqizimin e VKM dhe projektit TID, teksa ata ndërmarrin hapa sikur këto kanë ndryshuar. Nuk ka transparencë. Bashkia dhe institucionet janë në terr informativ. Ne nuk jemi as për shpronësim dhe as për prishje. Po presim të bëjmë takim, nuk kemi përgjigje zyrtare. Nëse nuk na presin ne do vijmë përsëri, derisa të na japin përgjigje, edhe në mënyrë institucionale. Projekti është abuziv”, tha ajo.

Një banore e vjetër shpjegon se ky projekt antiligjor ka marrë edhe firmën e Ballukut dhe të Ramës dhe po shkatërrojnë Durrësin e vjetër.

Ajo theksoi se nuk do tërhiqen nga kundërshtimi i tyre për mosprishjen e banesave dhe nuk do dalë nga shtëpia deri në fund.

“Jemi këtu para Bashkisë dhe askush nuk na pret. Projekti TID po shkatërron Durrësin e vjetër, ëhstë me firmë të Ballukut, Ramës dhe institucioneve, po prishet teatri i vjetër me këtë projekt. Si në kohën e Enverit edhe tani, se ky e ka me instikt dhe do ta bëjë këtë gjë, si atëhere. Ajo pika e voçkël Elva Margariti e ka bërë pa arkeologji dhe me asgjë tjetër, duan thjesht ta prishin dhe të ndërtojnë gjë tjetër. Thjesht duan t’i shembin, si mund të prishet shtëpia apo dyqani im. Ne nuk pranojmë prishjen, nuk pranojmë lekë, asgjë, unë nuk lëviz nga shtëpia ime. Po të jetë autostradë dakord, ra autostrada, por pse të prishet shtëpia ime për një lulishte tre metra e më pas të ndërtohet pallat. Ne do veprojmë deri në fund”, deklaroi banorja.

Ndërsa një tjetër banor përfaqësues, tha se më lehtë kanë takuar përfaqësues ndërkombëtarë se sa kryebashkiaken Emiriana Sako.

 

 

“Edhe pas kërkesave personale që kemi bërë, si dhe të tjerët e grupit, nuk gjejmë mundësi komunikimi, kemi arritur të komunikojmë me OLAF, me bashkësi ndërkombëtare, por ama me Bashkinë e Durrësit nuk kemi ende mundësi, me taku një nga këto këtu, kryetaren, edhe pse kam ardhur shumë herë dhe kam dëshirë ta takoj. Edhe këtu ende nuk i kemi takuar, po vijnë zgjedhjet e tjera por ende nuk i kam takuar. Është shumë revoltuese për në, na trajtojnë kështu, duke u trajtuar në këtë formë. Por ne nuk do ndalojmë, i themi të gjithëve. Unë nuk dua të prishet, kush do le të prishet, unë s’dua, i qëndroj kësaj. Nuk kemi njoftim të fundit, nuk kemi. Na bëhet goxha dëm, shqetësohemi, kanë kaluar 300 lloj qeverish dhe kjo që ishte si më në favorin tonë po na e prish komplet”, u shpreh ai.