Vala e të nxehtit, lëshohet alarmi i kuq në 15 qytete të Italisë

Alarmi i kuq është lëshuar në 15 qytete në të gjithë Italinë, pasi vapa ekstreme vazhdon të godasë Evropën Jugore.

Alarmet, të cilat tregojnë rrezik edhe për njerëzit e shëndetshëm, zbatohen për pikat e nxehta turistike, duke përfshirë Romën, Firencen dhe Bolonjën.

Temperaturat e mundshme rekord priten në Evropë javën e ardhshme me afrimin e një vale tjetër të nxehtë.

Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) thotë se Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Polonia mund të shohin kushte ekstreme.

ESA monitoron temperaturat e tokës dhe detit nëpërmjet satelitëve të saj.

Temperatura më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në Evropë ishte 48.8 gradë Celsius në Siçili në gusht të vitit 2021, dhe parashikimet sugjerojnë se nivele të ngjashme mund të arrihen këtë javë.

Periudhat e nxehtësisë intensive ndodhin brenda modeleve natyrore të motit, por globalisht ato po bëhen më të shpeshta, më intensive dhe po zgjasin më gjatë për shkak të ngrohjes globale.

Qeveria italiane ka këshilluar këdo në zonat e mbuluara nga alarmi i kuq i së shtunës që të shmangë rrezet e diellit direkte nga ora 11:00 deri në orën 18:00 dhe të kujdeset veçanërisht për të moshuarit ose personat vulnerabël.

Ndërkohë, Greqia ka arritur temperaturat 40 gradë Celsius  ose më shumë ditët e fundit. Akropoli, atraksioni më i njohur turistik i vendit , u mbyll gjatë orëve më të nxehta të së premtes për të mbrojtur vizitorët.

Në vend ka frikë edhe për një rrezik më të madh të zjarreve, veçanërisht në zonat me erëra të forta. Ai pësoi zjarre të mëdha në vitin 2021 në një tjetër valë të jashtëzakonshme të të nxehtit.

Temperaturat e larta kanë arritur gjithashtu në pjesët qendrore të Evropës, me Gjermaninë dhe Poloninë midis vendeve të prekura.

Zyra meteorologjike e Çekisë lëshoi një paralajmërim se temperaturat gjatë fundjavës mund të shkojnë mbi 38 gradë Celsius, që është jashtëzakonisht e lartë për vendin.

Në Mbretërinë e Bashkuar, megjithatë, të shtunën priten shira të dendur dhe erëra të forta në pjesë të Anglisë./albeu.com


Shtuar 15.07.2023 07:06