Dështoi në vrasjen e Aredin Beharit, detaje nga arrestimi i Albert Pashajt: Do ta vriste në Fier

Policia e Shtetit ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e Albert Pashajt i cili kishte paguar 80 mijë euro për të ekzekutuar Aredin Beharit.

Behari i kishte shpëtuar dy herë atentateve të kryera ndaj tij në vitet 2017 dhe më pas në vitin 2019 nga ana e Henrik Hoxhajt dhe Skerdi Tases.

Këta të fundit ndodhen sot pas hekurave.

Njoftimi i policisë

Vijon megaoperacioni policor i koduar “Golden Bullet”. Pagoi 2 herë (në total 80 000 euro), 2 shtetas, gjatë periudhës 2017-2019, për të vrarë në Fier, një shtetas me të cilin kishte konflikte, kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Golden Bullet”.

Ndalimi i këtij shtetasi, rezultat i punës hetimore dhe operacionale të pandërprerë të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në DPPSH dhe FAST Albanias, në bashkëpunim me SPAK.

Strukturat qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë vijuar intensivisht veprimet hetimore dhe punën operacionale, të koordinuara me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dokumentimin e plotë ligjor të disa ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, të zbardhura si rezultat i megaoperacionit policor të koduar “Golden Bullet”, të iniciuar nga Policia e Shtetit, më 19 maj 2022.

Në vijim të këtij megaoperacioni, u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim A. P. ndaj të cilit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, synuar për t’u kryer për interes dhe në bashkëpunim.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dyshohet se shtetasi A. P., më datat 05.11.2017 dhe 03.04.2019, ka paguar në total me rreth 80 000 euro, shtetasit H. H. dhe S. T. (të dy aktualisht të arrestuar), që ata të vrisnin në qytetin e Fierit, shtetasin A. B., me të cilin shtetasi A. P. kishte konflikte të mëparshme. Për shkak të rrethanave të pavarura nga shtetasit H. H. dhe S. T., ata nuk mundën ta kryenin vrasjen për të cilën ishin paguar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë se Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 27.06.2023 13:00