Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se vendosja e një pagese prej 200 euro si minimum jetik është një përgjigje e situatës emergjente në të cilën ndodhet Shqipëria.
Gjatë fjalës së tij në konferencën ku po diskutohet projektligji i PD-së për minimunin jetik, Berisha tha se paratë janë dhe se kjo gjë është e arritshme.
Ai u ndal te çështja e energjetikës, që sipas tij po abuzohet nga kryeministri Rama dhe ministrja Belinda Balluku. Berisha tha se digat janë plotë dhe se këto ditë do të shitet një sasi e madhe energjie.
“Avokati i Popullit e ka përllogaritur këtë minimum jetik rreth 200 euro. Sot minimumi jetik mesatar në BE është 840 euro, pra është llogaritur një e katërta, ndërkohë që duhet të jemi të vërtetë, çmimet e ushqimeve bazë në Shqipëri janë të njëjta dhe në disa artikuj, edhe më të kushtueshme se në mesataren e BE. Por, vendosja e një pagese prej 200 euro si minimum jetik për person është pa diskutim një përgjigje e situatës emergjente në të cilën ndodhet Shqipëria”, tha Berisha.
/albeu.com/