Kryeministri dhe lideri i LSDM-së në Maqedoninë e Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thirrur nesër seancë urgjente të Këshillit Ekzekutiv dhe Qendror të partisë, bëjnë të ditur burime nga socialdemokratët.
Takimet e udhëheqësisë partiake vijnë pas takimit të djeshëm të liderëve Kovaçevski – Mickoski, ku të dy lanë mundësinë për vazhdimin e dialogut.
Pritet që tema e mbledhjes së nesërme të trupave të më larta të LSDM-së, të jenë mënyra dhe forma se si do të zhvillohen bisedimet e mëtejshme me VMRO-DPMNE-në.
Dje Kovaçevski vlerësoi se partia më e madhe opozitare ka ndryshuar qëndrimin dhe se tani nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese.
Siç konfirmuan ai dhe Mickoski, në takim janë diksutuar disa propozime.
Kryeministri, sic njofton KlanM, fillimisht doli me qëndrimin që bashkërisht të votohen ndryshimet kushtetuese dhe pas përfundimit të procesit të shkohet në zgjedhje, por dha e edhe propozimin shtesë për hyrje të VMRO-DPMNE-së në Qeveri.
Mickoski, sic njofton KlanM, u përgjigj se është gati të merr pjesë në qeverinë e përbashkët me LSDM-në, por kërkoi që pjesë e saj të mos jetë BDI-ja, kurse ndryshimet kushtetuese të vlejnë nga momenti kur do të nis ratifikimin i marrëveshjes aderuese për anëtarësim të vendit në BE. /KlanMacedonia/