Një 54-vjeçar nga Elbasani që punonte si shofer pranë një firme private është dëmtuar gjatë orarit të punës. Bashkëshortja e tij ka denoncuar mjekët e spitalit të Elbasanit për neglizhencë si dhe administratorin e firmës për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Policia bën me dije se ka nisur procedimin penal për shtetasin E. J., 41 vjeç, me detyrë mjek në spitalin rajonal të Elbasanit, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, I. I., 49 vjeç dhe E. H., 29 vjeçe, pjesë e stafit mjekësor të spitalit rajonal të Elbasanit, si dhe për shtetasin B. P., 49 vjeç, punonjës për ruajtjen e sigurisë fizike të këtij spitali, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe B. Xh., 55 vjeç, me detyrë administrator i një firme private, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se ndaj këtyre shtetasve ka bërë kallëzim shtetasja L. K., 41 vjeçe, se gjatë procesit të punës në firmën që administrohet nga shtetasi B. Xh., është dëmtuar jashtë rrezikut për jetën, bashkëshorti i saj, shtetasi A. K., 54 vjeç, banues në Elbasan (shofer në këtë firmë).
Gjithashtu, 41-vjeçarja ka pretenduar nëpërmjet kallëzimit të saj, se stafi mjekësor i spitalit rajonal të Elbasanit, i turnit kur është paraqitur për të marrë mjekim shtetasi A. K., ka neglizhuar dhënien e asistencës mjekësore për bashkëshortin e saj.
Vijojnë veprimet hetimore me qëllim verifikimin e plotë ligjor të këtij kallëzimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./ALbeu.com/