Konjufca: Qortimet e SHBA-së janë gjë e keqe për Kosovën, kanë ndodhur edhe më herët

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se qortimet nga SHBA Kosovës s’po i vijnë për herë të parë. Por, ai thotë se kjo s’është e mirë për Kosovën.

“Kjo s’është e mirë për ne. E pranojmë që është gjë e keqe për Kosovën”, tha ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

“Sa i përket deklaratës se Blinkenit nuk është hera e parë që është duke na ndodhur kjo. Po më kujtohet edhe para dy vieteve kur ishte ajo çështja e reciprocitetit, kur ne aplikuam me Serbinë, d.m.th hasem në një gjuhë të ashpër, në një qortim të ashpër”.

Konjufca tha se SHBA s’po i kupton ndoshta pozicionet e Kosovës.

“Gjithçka që duhet të bëjmë është ta bëjmë një dialog të hapur dhe të shtuar me të gjithë miqtë dhe partnerët tonë, që t’i argumentojmë më mirë pozicionet tona. Ndoshta pozicionet nuk po kuptohen drejt nga SHBA”.

Konjufca tha se janë të brengosur për situatën në Veri “si çdo qytetar”.

“Ne nuk duhet që ta humbim fokusin. Mendoj që kryefjala nuk është shqetësimi, kryefjala është aftësia jonë për t’i kryer detyrat tona që të garantojmë siguri dhe qetësi. Siç shihet atje krejt problemi po fillon dhe po përfundon me grupet e armatosura dhe të rrezikshme që po i rrezikojnë”./express


Shtuar 31.05.2023 12:02