Berisha: Kreu i SHISH shkoi fshehtas në Beograd

Ish-kryeministri, Sali Berisha, thotë se drejtoresha e Shërbimit Inteligjent të Shqipërisë, Vlira Hyseni ka kryer vizitë të fshehtë në Beograd.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Berisha pretendon se vizita secrete në Serbi dëshmon se ajo u emërua në atë post si një urë lidhëse konfidenciale midis Ramës dhe sivllaut të tij Vuçiç, në bashkërendimin e veprimtarive të tyre kundër Kosovës dhe jo vetëm.

Kujtojmë se që prej 26 majit situata në veri të Kosovës është tensionuar, pasi qytetarët serbë nisën protestat kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Si pasojë e rensioneve SHBA-ja, mbështetësja më e madhe e pavarësisë së Kosovës, vendosi të anulojë pjesëmarrjen e Kosovës në një stërvitje ushtarake të NATO-s, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.
NATO-ja do të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë dhe do të vendosë një batalion tjetër në gjendje gatishmërie të lartë. Kjo, pasi trazirat në vend u intensifikuan prej se kryetarët shqiptarë morën detyrën në komunat me shumicë serbe në zonën veriore./albeu.com/

Postimi I plotë

Vizita e fshehtë e Vlora Hysenit në Beograd, kërcënim për sigurinë e Kosovës, Shqipërisë, rajonit dhe NATO-s.

Miq, mediat informojnë se Vlora Hyseni, drejtore e Shërbimit Inteligjent të Shqipërisë nisi punën me vizitën e saj të parë sekrete në Beograd dhe ky lajm deri sot nuk është përgënjeshtruar nga SHISH. Kjo vizitë e saj në Beograd për kohën që zhvillohet, por dhe background-in e shkarkimit të saj nga autoritetet e Kosovës, dëshmon se ajo u emërua në atë post si një urë lidhëse konfidenciale midis Ramës dhe sivllaut të tij Vuçiç, në bashkërendimin e veprimtarive të tyre kundër Kosovës dhe jo vetëm.

Në këtë kontekst kjo vizitë në kulmin e krizës së marrëdhënieve Kosovë-Serbi flet për një bashkërendim të përpjekjeve të Ramës dhe padronit të tij kundër Kosovës, gjë që i intereson shumë këtij të fundit për shkak të krizës të rëndë politike të brendshme të Beogradit.
Por vizita e fshehtë e Vlora Hysenit në Beograd, po të kemi parasysh se ajo drejton Shërbimin Inteligjent të një vendi anëtar të NATO-s është një ogur i keq për të gjithë informacionin e klasifikuar të NATO-s, i cili nëpërmjet konfidentes Hyseni mund të përfundojë në duart e padronit të Edi Ramës, Putinit të Vogël dhe nga ai, në duart e Putinit të Madh.
Kjo vizitë është një goditje e rëndë për bashkëpunimin tonë me shërbimet e vendeve mike të rajonit të cilat pas saj nuk do shkëmbejnë më informacione të ndjeshme me shërbimin shqiptar duke ditur se konfidentja e Ramës mund t’i dërgojë ato në Beograd.

Dënoj këtë vizitë si një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës, të Shqipërisë, rajonit dhe NATO-s dhe kërkoj largimin e saj të menjëhershëm nga detyra. #sb.albeu.com/


Shtuar 31.05.2023 11:24