Hetimi për shpërthimet e gazsjellësit Nord Stream, Moska: Dështim i plotë

Ministria e Jashtme e Rusisë tha sot se kishte thirrur ambasadorët e Gjermanisë dhe Danimarkës për të protestuar ndaj hetimeve lidhur me incidentit në tubacionin e gazit Nord Stream.

Rusia e quajti hetimin një dështim të plotë.

Shpërthimet e pashpjegueshme nënujore shkaktuan çarje në Nord Stream 1 dhe në tubacionet e ndërtuara Nord Stream 2 që lidhin Rusinë me Gjermaninë nëpërmjet Detit Baltik në shtator 2022.

Shpërthimet ndodhën në zonat ekonomike të Suedisë dhe Danimarkës dhe të dy vendet thonë se shpërthimet ishin të qëllimshme, por ende nuk kanë përcaktuar se kush ishte përgjegjës. Të dy vendet dhe Gjermania po hetojnë incidentin.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Rusisë akuzoi tre vendet se po vononin qëllimisht dhe po përpiqeshin të fshihnin se kush qëndron pas shpërthimeve.

Ministria shprehu pakënaqësinë për mënyrën si po kryhet hetimi.

“Është vërejtur se këto vende nuk janë të interesuara të përcaktojnë rrethanat e vërteta të këtij sabotimi. Përkundrazi, ata po vonojnë përpjekjet e tyre dhe po përpiqen të fshehin gjurmët dhe autorët e vërtetë të krimit pas të cilit besojmë se qëndrojnë vende të njohura.”

/Albeu.com/


Shtuar 25.05.2023 16:34