Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë u bëri thirrje vendeve që të zbatojnë reformat e nevojshme për t’u përgatitur për pandeminë e ardhshme dhe të respektojnë angazhimet e mëparshme për të forcuar financimin e kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara.
Duke iu drejtuar asamblesë vjetore të OBSH- së në Gjenevë nga 21 deri më 30 maj, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se tani është koha për të shpejtuar negociatat që synojnë parandalimin e pandemisë së ardhshme.
“Ne nuk mund ta shtyjmë atë”, tha ai, duke paralajmëruar se pandemia e ardhshme “është e detyruar të trokasë në derë”.
“Nëse ne nuk bëjmë ndryshimet që duhen bërë, atëherë kush do t’i bëjë? Dhe nëse nuk i bëjmë tani, atëherë kur?”, tha ai.
Takimi dhjetëditor i OBSH-së përkon me 75 vjetorin e saj dhe do të diskutojë çështjet globale të shëndetit, duke përfshirë pandemitë e ardhshme.
194 vendet anëtare po negociojnë reforma për rregullat detyruese që përcaktojnë detyrimet e tyre në rast të një kërcënimi ndërkombëtar shëndetësor dhe po punojnë për një traktat më të gjerë pandemik që pritet të ratifikohet vitin e ardhshëm.