EMRAT/ Masakra në mes të Tiranës, reagon policia: Një i vrarë dhe pesë të plagosur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë, ku ka mbetur e vrarë një grua e cila është identifikuar si Mimoza Paja, ndërsa kanë mbetur të plagosur 5 persona të tjerë, Sahit Murati, Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të cilët ndodhen aktualisht në spitalin e Traumës.

Gjithashtu e plagosur ka mbetur edhe një vajzë 10-vjeçe e cila është dëmtuar nga ciflat e xhamit.

Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në lokalin në pronësi të shtetasit Fatjon Murati.

Njoftimi:

Më datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të shtetasit F. M., në rrethana ende të paqarta,  nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri.

Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit S. M., 50 vjeç, A. M.,42 vjeç, E. S., 47 vjeç, E. B., 45 vjeç, G. Sh., 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.

Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshihen autorët.

/AlbEu.com/


Shtuar 12.03.2023 22:27