Të larguarit nga Bangladeshi po zëvendësohen me punëtorë nga Nepali, 120 gra të punësuara në fabrikat e këpucëve

Mungesa e fuqisë punëtore ka rritur numrin e punonjësve të huaj në vend, por edhe rrezikun e kompanive për largimin e tyre.

Një nga sektorët në ngërç për mungesën e punëtorëve është edhe ai fason.

Edvin Prençi, kryetari i shoqatës “Pro Eksport Albania”, tha për “Monitor” se prej muajsh fabrikat e sektorit fason po punësojnë gra nga Nepali, pasi punonjës të kombësive të tjera, kryesisht Bangladeshi, janë larguar të gjithë.

Sipas tij, nevoja më e lartë për punësime është më emergjente në sektorin e prodhimit të këpucëve. Deri tani numri i grave të punësuara nga Nepali për fabrikat fason të këpucëve nëpërmjet shoqatës arrin në 120. Fabrika të tjera të tekstilit që prodhojnë për të tretët nëpërmjet agjencive të punësimit kanë punësuar gra nga Filipinet me eksperiencë të ngjashme në vendin e tyre.

“Prej 3 muajsh shumica e fabrikave të sektorit fason po punësojnë gra nga Nepali që kanë përqindje më të ulët rreziku për t’u larguar. Frika e largimit ekziston edhe për këtë kategori të punësuara, çka do të dëmtonte kompanitë e sektorit, pasi kostot janë të larta”.

Kryetari i Shoqatës Pro Eksport Albania shton se pavarësisht se dokumentacioni është thjeshtësuar, mbeten ende të larta kostot për marrjen e punonjësve të huaj.

“Tarifa për përkthim/noterizim të dokumenteve ka kosto 5,000 lekë, 50 euro kosto për policën e sigurimit të shëndetit, 422 euro bileta e udhëtimit në rast se me dakordësi do ta paguajë punëdhënësi. Afati për mbylljen e procedurave është 50 ditë. Pas mbylljes së tyre sërish ekziston frika e problemeve deri në ardhjen e personit”.

Në total sektori fason numëron një mungesë prej 25,000 punëtorësh. Për shkak të kërkesës së lartë të fuqisë punëtore nga largimi i vendasve në emigracion sektori ishte ndër të parët që punësuan punonjës nga Bangladeshi, ku në shumë raste rezultoi që e përdorën Shqipërinë si trampolin për të emigruar drejt Europës. Largimi i punonjësve nga Bangladeshi është ngritur si shqetësim nga fabrikat e përpunimit të drurit dhe industrisë përpunuese ushqimore.

Tashmë mungesa e fuqisë punëtore është thelluar edhe në sektorin e bareve dhe restoranteve (shoqata e Bareve dhe Restoranteve deklaroi mungesën e 15,000 punëtorëve), transportit dhe përpunimit të drurit.

Kompanitë e këtyre sektorëve kohët e fundit po shohin si zgjidhje punësimin e punonjësve nga Egjipti. Përballë riskut për largimin e punonjësve, siç ka ndodhur më parë, kompanitë po e konsiderojnë marrjen e punonjësve nga Egjipti një fazë eksperimentale, pasi nuk mbetet rrugëzgjidhje tjetër për gjetjen e burimeve njerëzore.

Më herët shoqatat e biznesit rekomanduan se nga shteti duhet të ofrohet zgjidhje për mungesën e fuqisë punëtore nëpërmjet hartimit të një plani kombëtar, ku secili nga sektorët të nxjerrë të dhënat për kërkesën e fuqisë punëtore të munguar dhe më pas agjencitë e rekrutimit të kontrollohen nga shteti./monitor/

 


Shtuar 10.03.2023 08:20