Ndalimi i shkollimit i vajzave dhe grave afgane, diskriminim brutal

Për botën e jashtme, e drejta e gruas për shkollim është një e drejtë e patjetërsueshme. Për gratë dhe vajzat afgane, është një rast kryekëput i diskriminimit.

Zahra Azimi, që ka përfunduar shkollimin deri në klasën e dymbëdhjetë, e ka provuar në lëkurën e saj një sulm vdekjeprurës, optimizmin e rikthyer dhe goditjen e fundit që gratë kanë përjetuar sa i përket shkollimit nën sundimin taliban.

Ajo ishte në mesin e qindra studentëve që po iu nënshtroheshin provimeve praktike universitare në Qendrën për Edukim të Lartë Kaaj, në perëndim të Kabulit më 30 shtator 2022, kur ndodhi tragjedia.

Të paktën 53 persona u vranë kur një sulmues vetëvrasës shënjestroi këtë qendër, që gjendet në një zonë të kryeqytetit afgan të banuar kryesisht nga pjesëtarët e komunitetit shiit hazara, tha Misioni për Ndihmë në Afganistan i Kombeve të Bashkuara. Azimi ishte në mesin e 110 personave që u plagosën në këtë sulm.

Ky sulm, përgjegjësinë e të cilit nuk e mori asnjë grup, u dënua nga komuniteti ndërkombëtar dhe nxiti protesta të vajzave dhe grave në mbarë Afganistanin pas rritjes së shqetësimeve lidhur me shkollimin e tyre nën Qeverinë e udhëhequr nga talibanët.

Menjëherë pasi morën pushtetin në gushtin e vitit 2021, grupi islamik i linjës së ashpër ndaloi që vajzat të ndiqnin mësimin përtej klasës së gjashtë. Përderisa gratë ende kishin mundësi të vijonin studimet universitare, u vendosën kufizime për studentet që ndiqnin mësimin. Talibanët vendosën që të ndanin studentët dhe studentet në klasa, që mësim të jepnin vetëm profesoreshat për studentet dhe ofruan vetëm pak drejtime që gratë mund të zgjidhnin për të studiuar.

Pavarësisht kufizimeve dhe lëndimeve që pësoi, ideja që ajo mund të kishte ende mundësi për t’i nënshtrohej provimit pranues me shpresën që të ndjekë mësimet universitare, i dha pak ngushëllim Azimit.

Disa javë pas sulmit vdekjeprurës me bombë në Kabul, ajo arriti që t’i nënshtrohej testit dhe të pranohej në studimet e nivelit bachelor në drejtimin për kimi në Universitetin e Kabulit, që është institucioni më prestigjioz në Afganistan i arsimit të lartë.

“Për dy vjet, ne kemi punuar ditë e natë për të arritur qëllimet dhe ëndrrat tona. Më në fund, kaluam në fazën e testimeve dhe e kaluam testin”, tha Azimi për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë.

Por, pak kohë pas kësaj, ajo tregoi se “ne pamë që dyert e universiteteve u mbyllën [për gratë]”.

Në dhjetorin e vitit 2022, talibanët njoftuan se do të ndalonin gratë dhe vajzat që të ndiqnin studimet në universitetet publike dhe private. Në janar të këtij viti, talibanët paralajmëruan universitetet se studentet janë të ndaluara që t’iu nënshtrohen testeve pranuese të parapara të mbaheshin më vonë gjatë atij muaji. Ky njoftim nxiti një valë të re dënimesh dhe thirrjesh nga grupet e të drejtave të njeriut, qeveritë e huaja dhe Misioni për Ndihmë i OKB-së që autoritetet talibane të tërhiqnin vendimin.

Atëbotë, zëdhënësi i Ministrisë talibane për Arsim të Lartë, Ziaullah Hashemi, tha për Radion Azadi se “ne jemi të përkushtuar për të drejtat e të gjithë afganëve bazuar në Ligjin islamik të Sheriatit dhe ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që kurrë të mos bëjë kërkesa të tilla”.

Gratë, sikurse Azimi, ende kishin shpresë se vendimi do të tërhiqej. Por, optimizmi u zbeh kur në shkurt, Ministria e Arsimit të Lartë njoftoi se semestri pranveror në universitetet publike do të niste vetëm për studentët meshkuj.

Hashemi nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Azadi lidhur me këtë vendim, por më herët kishte thënë se gratë dhe vajzat pritet që deri në një njoftim të dytë të respektojnë rregullat sa i përket arsimimit të tyre.

Baisarat Fitrat, që u plagos gjatë sulmit në Qendrën për Arsim të Lartë Kaaj, nuk ishte në gjendje t’i nënshtrohej testit për pranim në universitet për shkak të problemeve shëndetësore.

Basirat tha se shpresonte që të studionte për inxhinieri në Universitetin e Kabulit, por ka frikë se kjo mundësi i ka ikur.

“Kam ëndërruar të bëhem inxhiniere. Gjithmonë kam dashur të bëhem inxhiniere. Kam punuar fort për dy vjet”, tha Fitrat për Radion Azadi të REL-it.

Realiteti i ashpër i situatës së tyre i ka lënë Fitratin dhe Azimin të dëshpëruara dhe të kërkojnë mënyra të tjera për të vazhduar shkollimin. Azimi po shikon mundësitë që të studiojë jashtë vendit, potencialisht duke kontribuar në ikjen e trurit dhe disa prej mendjeve më të mira dhe më të ndritura të reja të Afganistanit.

“E kam një ndjenjë brenda që nuk mund ta shpreh. Përpara, mendoja se si një afgane unë po ndiqja qëllimin për shtetin tim, dhe si afgane të përmbush përgjegjësinë time”, tha Azimi.

“Por, tani që dyert e universiteteve janë mbyllur, po hyj në një luginë të frikshme dhe të errët”. /REL


Shtuar 8.03.2023 07:51