Deputetë të partive opozitare në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, kanë kritikuar qeverisjen dyvjeçare nën udhëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ata kanë akuzuar Qeverinë se përgjatë këtyre dy vjetëve nuk ka arritur të adresojnë problemet me të cilët përballen qytetarët e Kosovës, dhe sipas tyre, nuk ka pasur ndryshime pozitive në Kosovë.
Largimi i qytetarëve për një jetë më të mirë ne vendet e Bashkimit Evropian, shkalla e lartë e papunësisë dhe varfërisë, janë disa nga problemet që deputetët të partive opozitare kanë theksuar.
“Asnjëherë më para nuk ka pasur radhë kaq të gjata të të rinjve kosovarë dhe e profesionistëve para ambasadave për ta lëshuar vendin”, tha deputetja e subjektit opozitar, Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Eliza Hoxha.
Ndërkaq, deputeti i partisë tjetër opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, tha se me qeverisjen Kurti, Kosova është më e varfër.
Qytetarët e Kosovës, tha ai kanë humbur shpresën në këtë Qeveri dhe kanë marrë rrugën e mërgimit.
Sipas tij, vetëm në vitin 2022, në Ambasadën gjermane dhe atë zvicerane në Prishtinë kanë aplikuar për vizë mbi 130 mijë qytetarë të Kosovës.
“Brenda 10 vjetëve në Kosovë janë larguar 30 për qind e popullatës së Kosovës. Unë nuk e them që ky trend është vetëm tani. Por, kur ju thoni që kjo është Qeveria e shpresës, të dhënat që iu prezantova janë më shqetësuese se një vit paraprak, pra trendi është në rritje masive”, tha Tahiri.
Deputetja e subjektit opozitar, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka pyetur kryeministrin Kurti se cilat janë sukseset në ekonomi dhe cila është reforma e vetme e cila është marrë në fushën e politikave fiskale.
“Ju keni dështuar të bëni një reformë të vetme fiskale, një projekt të vetëm sa i përket përmirësimit të ambientit të biznesit”, tha Bajrami.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke iu përgjigjur deputetëve, tha se përgjatë këtyre dy vjetëve kanë shënuar arritje të mëdha në drejtësi e punësim, pasi edhe aty ka qenë fokusi i tyre si Qeveri.
“Për të parën, të gjithë pajtohen se është bërë një punë e jashtëzakonshme e Policisë së Kosovës për luftimin e krimit të organizuar. Nga fillimi i mandatit janë realizuar mbi 850 operacione policore, mbi 3.200 persona të arrestuar – prej tyre 301 zyrtarë publik[, 69 grupe kriminale janë shkatërruar”, tha Kurti.
Sa i përket akuzave të deputetëve nga partitë opozitare për ikjen e të rinjve për shkak të keqqeverisjes, Kurti tha se janë duke punuar në vazhdimësi për secilin qytetar të vendit pa dallim dhe kanë për synim kthimin e besimit në institucione në shtet dhe ngritjen e mirëqenies sociale për ta zvogëluar migrimin.
“Nga fillimi i mandatit deri më sot, kemi mbi 40 mijë më shumë të punësuar”, tha Kurti.
Qeveria aktuale e Kosovës është formuar më 22 mars të vitit 2021.
Lëvizja Vetëvendosje, lider i së cilës është kryeministri aktual, Albin Kurti, ka fituar 50.28 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit të vitit 2021. /REL