Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë sonte se do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, e cila mbahet 7 deri më 19 shkurt, dhe ku marrin pjesë udhëheqës të shteteve më të rëndësishme të botës.
Vuçiq këtë deklaratë e ka bërë në televizionin serb “Pink”, pas protestës së djathtistëve pro-rusë në Beograd.
“Ne kemi një periudhë të vështirë përpara, të premten do të jem në Mynih ku do të bisedoj me udhëheqës shtetesh më të rëndësishme të botës. Janë takime të vështira, por duhet të shkoj që Kurti të mos bëjë atje çfarë të dojë”, thekson Vuçiq, transmeton Telegrafi.
Kujtojmë se presidenti serb iu drejtua qytetarëve mbrëmjen e sotme pasi ekstremistët në një protestë në qendër të Beogradit tentuan të hyjnë në Presidencë dhe e kërcënuan Vuçiqin me jetë.
Vuçiç tha se shteti nuk do të lejojë dhunë dhe do të veprojë menjëherë, pasi protestuesit e krahut të djathtë tentuan të hynin në Presidencën serbe.
Sipas mediave serbe, pas protestës së djathtistëve pro-rusë në Beograd, Vuçiq mbajti një takim me shërbimet e sigurisë.
“Shteti nuk do të lejojë banditët dhe ekstremistët, me ndihmë nga jashtë, qoftë nga Perëndimi apo Lindja, që të kërcënojnë rendin kushtetues”, tha ai.
Vuçiq nuk dha më shumë detaje për këtë temë.
Djathtistët serbë u mblodhën në Beograd më 15 shkurt për të protestuar kundër autoriteteve serbe dhe dialogut me Kosovën, që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në këtë protestë, të organizuar nga organizata e ekstremit të djathtë, “Patrulla e Popullit”, u panë edhe simbolet e grupit mercenar rus, Wagner. Po ashtu, protestuesit brohoritën mesazhe ofenduese ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë parandaluar djathtistët që të hynin në ndërtesën e Presidencës serbe. /Telegrafi