Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, takoi sot në Prishtinë presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti si dhe udhëheqësit e partive politike në kuadër të vizitës në rajon në një periudhë përpjekjesh për ripërtërtjen e bisedimeve Kosovë – Serbi dhe nxitjes së proceseve integruese.
Takimet e zotit Chollet u mbajtën më dyer të mbyllura, ndërsa para vizitës Departamenti amerikan i Shtetit tha se ai do të diskutojë me autoritetet në Kosovë për avancimin e integrimit të Kosovës në mekanizmat evropianë dhe euroatlantikë, dhe për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që në qendër ka njohjen e ndërsjellë.
Në një komunikatë të lëshuar nga presidenca e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani citohet të ketë falënderuar Shteteve të Bashkuara për angazhimin në procesin e dialogut, duke theksuar se përfshirja e shtuar amerikane “është vendimtare për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Kosovës”.
Sipas komunikatës, presidentja Osmani tha se “Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje” më Serbinë.
Zoti Chollet të enjten pritet të shkojë në Beograd.
Të martën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se do të bashkëpunojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë ndërsa bëri thirrje për më shumë trysni ndaj Serbisë për të siguruar një marrëveshje.
Gjatë këtij muaji në Kosovë dhe Serbi pritet të qëndrojnë edhe diplomatë tjerë amerikanë e evropianë dhe diskutimet pritet të përqendrohen në propozimin evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane për një marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve.
Në tekstin e propozimit nuk përmendet njohja e ndërsjellë, por përfshihet zotimi i palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
Kryeministri Kurti, e ka cilësuar propozimin si “bazë të mirë për diskutime”, ndërsa pohoi se Serbia e ka refuzuar atë.
Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, tha një ditë më parë se Serbia ka tri vija të kuqe sa i përket Kosovës: çdo marrëveshje e arritur duhet të zbatohet, Serbia nuk mund ta njohe pavarësinë e Kosovës dhe duhet garantim i sigurisë së serbëve që jetojnë në Kosovë.
Për gati 12 vjet Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe kanë nënshkruar mbi 30 marrëveshje, por sfidë mbetet zbatimi i tyre. Një prej tyre është edhe ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që është edhe pjesa më e diskutueshme në këtë proces.
Serbia ngul këmbë që të zbatohet kjo marrëveshje siç është negociuar në vitet 2013 dhe 2015. Autoritetet në Kosovë thonë se Gjykata Kushtetuese ka gjetur një varg shkeljesh dhe asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme si dhe të zbatohet në pajtim me opinionin e Gjykatës Kushtetuese. Nisma e re evropiane bënë thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme./voa