Nga Lorenzo Vita “Il Giornale”
Përktheu: Alket Goce- Albeu.com
Ballkani vazhdon të përjetojë momente tensioni, me tensione që shpërthejnë pak a shumë dhunshëm në të gjitha ato territore ku plagët e së shkuarës dhe brishtësia historike e rajonit duket se nuk kanë ndërmend që të mbyllen.
Pak ditë pasi diplomacia ndërkombëtare, NATO, Prishtina dhe Beogradi u zotuan për heqjen e barrikadave në Mitrovicë, në Kosovë u rikthyen protestat e komunitetit serb. Por këtë herë jo në veri por në Shtërpcë, një enklavë në jug të vendit.
Mijëra njerëz dolën në protestë për të denoncuar një sulm të armatosur kundër 2 burrave serbë në prag të Krishtlindjeve Ortodokse. Policia kosovare arrestoi brenda pak orësh autorin e sulmit, një shqiptar etnik. Por veprimi i policisë nuk mjaftoi për të ulur tensionet.
Lista Serbe e akuzoi qeverinë e Albin Kurtit se nuk po e garanton sigurinë e pakicës serbe, ndërsa Serbia kritikoi refuzimin e NATO-s për të miratuar kërkesën e Beogradit për dërgimin e trupave, siç parashikohet në rezolutën Nr.1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Pra kriza midis dy grupeve etnike nuk duket e destinuar që të ndalet, pavarësisht negociatave për heqjen e barrikadave në veri dhe ndërhyrjes së të gjitha palëve të përfshira në balancën e brishtë të Kosovës. Dhe demonstratat e Shtërpcës përfaqësojnë një kambanë tjetër alarmi për një realitet që duket shumë larg paqes reale.
Përveç Kosovës, ditët e fundit është bërë sërish aktuale edhe gjendja e Republikës Serbe të Bosnjë-Hercegovinës, Republika Srpska. Milorad Dodik, president i republikës serbe të Bosnjës, ka përsëritur së fundmi deklaratën e tij për shkëputjen nga vendi dhe për bashkimin me Serbinë.
Dhe me rastin e festës së Republika Srpska – një festë e shpallur si jo kushtetuese nga Gjykata e Lartë në Sarajevë – udhëheqësi i serbëve të Bosnjës tha se “nuk ka pasur kurrë një popull serbo-boshnjak, por vetëm një popull serb që ka të drejtën e shprehjes në mënyrë demokratike dhe të tubimit”.
Dhe para mijëra trupave të forcave të sigurisë serbe të Bosnjes, himnit serb dhe takimeve
me delegacionet e vendeve aleate, Dodik njoftoi gjithashtu synimin e tij për të nderuar presidentin rus Vladimir Putin, duke e cilësuar këtë të fundit si “promotor të zhvillimit dhe forcimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve politike dhe miqësisë midis Republikës Srpska dhe Rusisë” dhe falë të cilit “dëgjohet dhe respektohet zëri dhe pozicioni i Republikës Srpska”, dhe kjo e fundit “ruhet nga sulmi i intervencionimit ndërkombëtar”.
Ky sinjal nuk u nënvlerësua aspak nga Shtetet e Bashkuara, të cilat përmes ambasadës së
saj në Sarajevë, e kritikuan komentin e Dodik mbi Vladimir Putin, duke e konsideruar udhëheqësin rus si “një njeri që nisi pa asnjë arsye pushtimin e Ukrainës, duke shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve dhe shumë shkatërrime”.
Delegacioni i SHBA-së vazhdoi më pas deklaratën duke kujtuar anti-kushtetutshmërinë e përkujtimit të Ditës së Republikës Srpska. Megjithatë është e qartë se njësia federative e drejtuar nga Dodik nuk ka interes të dëgjojë, dhe aq më pak të ndajë qëndrimet e Uashingtonit.
Edhe pse nuk pati incidente, nuk është për t’u habitur që inteligjenca boshnjake raportoi me shqetësim praninë e qytetarëve rusë në festimet e Republikës Serbe. Duke dashur që të nënvizojë lidhjen me Moskën, por edhe interesin e bllokut perëndimor për të rikthyer në qendër të vëmendjes rreziqet e infektimit të rajonit nga konflikti që ka nisur Kremlini në Ukrainë.
Të gjitha rajonet e lidhura me Beogradin janë aktualisht të trazuara. Dhe komunitetet serbe të Kosovës dhe Bosnjes përfaqësojnë “termometra” themelorë për NATO-n dhe për Bashkimin Evropian, si të rrezikut të një krize ballkanike me rëndësi rajonale, po ashtu edhe të pasojave të gabimeve të bëra vitet e fundit apo të nënvlerësimit të problemeve ende të pazgjidhura.
Në mungesë të integrimit, zhvillimit, por edhe ekzistencës së problemeve të vjetra me origjinë etnike dhe nacionaliste, shkaktohen kriza ndërkombëtare dhe globale, të cilat mund të shkatërrojnë edhe ekuilibrin e brishtë që ekziston. Dhe me përplasjen midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, pikërisht në kohë kur Bashkimi Evropian po i kthen edhe një herë sytë nga Ballkani Perëndimor, mbi këtë rajon mbeten shumë pikëpyetje themelore lidhur me të ardhmen e tij./Albeu.com/