PRIMARET/ PD voton sot për “të parët” e betejës së 14 Majit

Partia Demokratike do të zhvillojë sot për herë të parë një proces të brendshëm zgjedhor nga i cili do të dalin kandidatët e opozitës për zgjedhjet e 14 majit. Anëtarët e Partisë Demokratike dhe simpatizantë të saj mund tu drejtohen degëve lokale për të shprehur vullnetin e tyre se cilin nga emrat që janë në garë dëshirojnë ta shohin rival të Partisë Socialiste për bashkinë e tyre.

Beteja më e fortë konsiderohet në kryeqytet, ku përballja do të jetë mes 7 kandidatësh, mes tyre Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti, Gert Bogdanit dhe Julian Deda.

Në dy bashki të tjera të mëdha PD shkon në zgjedhje me 1 emër, Luçiano Boçin në Elbasan dhe Bardh Spahinë në Shkodër. Ndërsa anëtarësia e PD-së në Durrës duhet të zgjedhë dhes Igli Carës dhe Armand Dervishit.

Kruja është bashkia e cila ka më së shumti kandidatë, plot 11 emra që synojnë të jenë përballë PS-së në 14 Maj.

Procesi do të mbahet në 56 bashki dhe jo në 61. Kjo për shkak të dinamikave të brendshme. Jashtë primareve do të jetë Bashkia e Malësisë së Madhe, për të cilën nuk u regjistrua asnjë kandidat.

Në 4 bashki të tjera, Sali Berisha ju ka dhënë dorë të lirë aleatëve të vegjël minoritarë duke mos i nënshtruar në votim e duke ju lënë të drejtën të zgjedhin vetë kë do të kandidojnë.

Vangjel Dules i vihen në dispozicion bashkitë: Himarë, Finiq e Dropull ku ka përqendrim minoritarësh grekë, ndërsa Pusteci i është rezervuar një partie të minoritetin maqedonas.

Nga 56 bashkitë ku do të zhvillohet procesi i primareve, në disa zona të rëndësishme ka vetëm një kandidat: në Elbasan, Shkodër dhe Kukës. Por zgjedhjet do të mbahen edhe këtu.

Edhe anëtarët dhe simpatizantët e Partisë së Lirsë mund të votojnë këtë të diel, por vetëm në 4 bashki të cilët Berisha ja ka lënë Metës të futë në garë emrat e tij. Ato janë: Kuçova, Skrapari, Përrenjasi dhe Memaliaj.

Që një kandidat të shpallet fitues duhet të marrë votat e më shumë se gjysmës së pjesëmarrësve në primare. Nëse asnjë kandidat nuk merr 50% plus 1 votë të dielën, në 11 dhjetor do të bëhet raundi i dytë.


Shtuar 4.12.2022 08:15