“Do më vrasin …”, Spartak Dyrmishi flet për “Piranjat”: Më thanë që s’do më ekstradonin, policia greke më ka thyer këmbët

“Piranjat” të moderuar nga Florjan Binaj dhe Arilena Ara kanë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes ekstradimin e jashtëligjshëm të Spartak Dyrmishit drejt Greqisë, ku akuzohet për përdhunimin e një gruaje.

Gazetari i “Piranjave” Eraldoi Harlicaj, ka mundur të kontaktojë me Spartak Dyrmishin, i cili tregon se ai është prerë në besë nga ana e autoriteteve shqiptare, pasi nga Drejtoria e Policisë Vlorë ku ai ishte vetëdorëzuar është dërguar menjëherë në Kakavijë ku më pas e kanë marrë autoritet greke.

Dyrmishi rrëfen se ai është dhunuar barbarisht nga policia greke, madje ka frikë se nuk ka për të dalë i gjallë nga burgu.

Të njëjtin version si Spartaku tregon dhe vëllai i tij, i cili thekson se para se Spartaku të dorëzohej ka marrë fillimisht garancinë nga një shef krimesh dhe më pas nga vetë Drejtori i drejtorisë së Policisë së Vlorës, se nuk do të ekstradohej.

Lidhur me rastin në fjalë Eraldo Harlicaj ka kontaktuar dhe drejtorin e Policisë së Vlorës, por nuk ka mundur të marrë asnjë përgjigje.

E vetmja shpresë për të nisur një hetim do të jetë Avokati i Popullit.

Ndërkohë një javë më parë në emisionin “Piranjat” ekspertë dhe njohës të mirë të ligjit u shprehën se ekstradimi i Spartak Dyrmishit pa asnjë dosje, pa asnjë kërkesë zyrtare dhe pa vendim gjykate është në shkelje të plotë të ligjeve dhe Kushtetutës së Shqipërisë.


Shtuar 13.11.2022 22:48