Kreu i ri i SPAK/ Përfundon afati për dorëzimin e kandidaturave, kush do të zërë vendin e Krajës

Ditën e sotme ka përdunduar afati për dorëzimin e kandidaturave në garë për kreun e ti të SPAK. Siç ishte parashikuar, 3 janë emrat zyrtarë që do të kandidojnë për të zëvëndësuar në këtë post Arben Krajën, mandati i të cilit përfundon pas 5 javësh.

Pasi raundi i parë dështoi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë shtyu afatin për garën, e nuk vonoi shumë derisa Edvin Kondili depozitoi kërkesën e tij për të garuar. Disa ditë më parë, njëri pas tjetrit, vendosën që të garonin edhe Adnan Xholi, i pasuar nga Altin Dumani. Të tre janë garuesit zyrtarë të cilët kanë shprehur ambicien për të qenë drejtues të institucionit të drejtësisë.

Por si do të zgjidhet kreu i ri i SPAK? Cila është procedura që do të ndiqet? Edvin Kondili, Altin Dumani dhe Adnan Xholi do të dalin para KLP-së për t’u marrë në pyetje e më pas, kreu i ri i SPAK do të zgjidhet përmes pikëzimit. Ndërkohë që drejtimin e SPAK e ka ende Arben Kraja, i cili e përfundon mandatin në datën 19 dhjetor. Me përfundimin e madatit të Krajës, merr detyrën drejtuesi i ri dhe Kraja mbetet prokuror i SPAK, pasi si prokuror mandati është 9 vite ndërsa si drejtues zgjidhet çdo 3 vite.  Kjo sepse drejtuesi i SPAK nuk ka të drejtë rizgjedhjeje, gëzon vetëm 1 mandat, edhe pse Kraja u mundua të ndryshonte këtë rregull. Me pretendimin se ishte drejtuesi i parë dhe nuk kishin pasur infrastrukturën e nevojshme për të punuar me kapacitet të plotë, Kraja kërkoi edhe 3 vite në detyrë, por kërkesa u rrëzua menjëherë.


Shtuar 3.11.2022 11:44