Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e pasurive të Altin Gegës dhe familjarëve të tij. Gega është arrestuar vitin që lamë pas për veprën penale “Prodhim e shitje të lëndëve narkotikeve”. Sipas Prokurorisë, Ka dyshime të forta se ky shtetas, ka patur lidhje me grupe kriminale në Tiranë, i fokusuar kryesisht në shpërndarjen e drogërave dhe transportin e mallit e llojit kanabis e kokainë.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, kërkon sekuestrimin e pasurive të paluajtshme për shtetasin A.G. bazuar në nenet 3 deri në 7, 11, 12, 14 dhe 15 e vijues të ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar”.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka rregjistruar referimin pasuror nr. 67, viti 2021,
në bazë të materialit të ardhur nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
Shtetasi A.G., është ndaluar dhe arrestuar në 27.07.2021 në kushtet e flagrancës nga efektivët e policisë të Seksionit të Narkotikëve, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, i akuzuar për veprën penale “Prodhim e shitje të lëndëve narkotikeve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
Ka dyshime të forta se ky shtetas, ka patur lidhje me grupe kriminale në Tiranë, i fokusuar kryesisht në shpërndarjen e drogërave dhe transportin e mallit e llojit kanabis e kokainë.
Shtetasi A.G., nga informacionet e marra në rrugë operative, e ka ushtruar këtë aktivitet në fushën e shitjes së kokainës, edhe në shtete të tjera jashtë Shqipërisë, si në Itali, Holandë, por më i fokusuar dhe në mënyrë më intensive në Gjermani.
Paraprakisht nga informacionet e mbledhura në rrugë operative si dhe pas një pune të gjatë, janë identifikuar pasuritë familjare, të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike nga shtetasi A.G. dhe dyshohet se lidhen e rrjedhin nga veprimtaria e tij kriminale.
Nga kryerja e veprimeve hetimore e proceduriale për llogari të hetimit pasuror me nr. 67 të vitit 2021, si dhe bazuar në ekzistencën e informacionit apo dyshimit të arsyeshëm se pasuritë e paluajtshme të vendosura në pronësi të tij dhe pjestarëve të tjerë të familjes, dyshohen se janë si rezultat i akordeve kriminale të cilët i përmendëm edhe më lart pasi janë të pajustifikuara në raport me të ardhurat dhe fitimet nga veprimtaria e ligjshme.
Duke qenë se pasuritë e evidentuara gjatë hetimit të kryer që janë në pronësi të shtetasit A.G., dhe familjareve të tij, kanë rrezik të tjetërsohen, të asgjësohen, të dëmtohen, të transferohen/ transportohen apo çdo rast tjetër që dyshohet se mund të rrezikohet zbatimi i një mase të mundshme sekuestroje, është e domosdoshme që pasuritë e identifikuara në emër të shtetasit të dyshuar: A.G., lindur dhe banues në Tiranë t’i nënshtrohen sekuestros, pasi plotësohen të gjitha kriteret ligjore të analizuara më lart.
Për sa më sipër bazuar në nenet 3 deri në 7, 11, 12, 14 dhe 15 e vijues të ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar”.
K Ë R K O J:
Sekuestrimin e pasurive të paluajtshme si më poshtë vijon:
Zona Kadastrale nr 3976, lloji i pasurisë NJËSI me nr Pasurie 52/44+2-N4, me sipërfaqe 465.3 m2, në pronësi të shtetasve G.G. dhe Sh.G;
Zona Kadastrale nr 3976, lloji i pasurisë NJËSI me nr Pasurie 52/44+2-N2, me sipërfaqe 149.25 m2, në pronësi të shtetasve G. G dhe Sh.G;
Zona Kadastrale nr 3976, lloji i pasurisë NJËSI me nr Pasurie 52/44+3-N4, me sipërfaqe 659.3 m2, në pronësi të shtetasve G.G dhe Sh.G;
Zona Kadastrale nr 3426, lloji i pasurisë ARË me nr Pasurie 76/42, me sipërfaqe 1400 m2, në pronësi të shtetasit G.G., me nr identifikimi numër personal ID G21127076S, e regjistruar në datë në datë 09.12.2020;
Zona Kadastrale nr.3426, lloji i pasurisë ARË me nr Pasurie 493/25, me sipërfaqe 1580 m2, në pronësi të shtetasit G. G.; dhe
Zona Kadastrale nr.8110, lloji i pasurisë TRUALL me nr Pasurie 3/455, me sipërfaqe 248.1 m2, në pronësi të shtetasit G. G. Pasuria është fituar me leje legalizimi nr. 1230170 datë 27.07.2018 që është godinë banimi 4 kate me sipërfaqe kati perdhe 98.2 m2, sipërfaqe e katit të parë 107.3 m2, sipërfaqe verande 19.4 m2, kati i dytë 89.7m2, sipërfaqe verande 41.6m2, sipërfaqe e katit të tretë 82.5m2 dhe sipërfaqe verande 48.8m2.
Për Administrimin dhe përdorimin e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme të ngarkohet Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Brendshme Tiranë.
Për ekzekutimin e këtij vendimi të ngarkohet oficeri i policisë./albeu.com