U la në burg për vrasjen e George Floyd, polici kërkon gjykim të ri

Derek Chauvin, ish-zyrtari policor i dënuar për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd në qytetin amerikan Mineapolis një vit më parë, ka kërkuar proces të ri gjyqësor.

Muajin e kaluar, polici është dënuar për vrasje të shkallës së dytë, asaj të tretë dhe vrasje pa paramendim. Gjatë përleshjes gjatë arrestimit, në disa video Chauvin është parë duke i bërë presion Floydit me gju në qafë.

Floyd është dëgjuar duke thënë se nuk mund të marrë frymë dhe ka bërë thirrje për mëshirë derisa ka mbetur pa ndjenja.

Chavin përballet me dekada në burg për këtë rast.

Vendimi është konsideruar pikë e rëndësishme për drejtësi racore, pasi vdekja e Floydit pati nxitur protesta në gjithë botën kundër përdorimit të dhunës ndaj njerëzve me ngjyrë nga ana e zyrtarëve policorë.

Avokati mbrojtës Eric Nelson ka përmendur një varg arsyesh për gjyq të ri, duke përfshirë sjelljen e pahijshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Prokurorët ende nuk kanë marrë vendim për kërkesën e Nelsonit, e cila ka ardhur teksa paanësia e një anëtari të jurisë është vënë në pikëpyetje pas qarkullimit të një fotoje ku shihet ai duke marrë pjesë në një marsh kundër racizmit.

Brandon Mitchell është parë me një këmishë, në të cilën ka qenë fotografia e mbrojtësit të të drejtave civile Martin Luther King Jr. si dhe mbishkrimi “hiqni gjunjtë nga qafa jonë”.

Mitchell, i cili është po ashtu me ngjyrë, ka thënë se ka qenë pjesë e marshit për të nderuar veprimtarinë e Martin Luther King Jr. dhe jo në protestën për vdekjen e Floydit.

Mirëpo në atë organizim kanë folur para audiencës motra, vëllai dhe familjarë tjerë të Floydit.

Anëtarët e jurisë, që kanë marrë vendim për Chauvin, janë pyetur para se të pranoheshin nëse kanë marrë pjesë në ndonjë marsh kundër racizmit, pas vdekjes së Floydit.

Mitchell ka thënë se nuk ka qenë pjesë e ndonjë organizimi të tillë dhe mund të shërbejë si i paanshëm.

Tani pritet që gjyqtari të vendosë nëse ky anëtar i jurisë ka qenë i anshëm dhe nëse ka gënjyer gjatë intervistës së tij për anëtarësim në juri.


Shtuar 5.05.2021 10:48