Pesë personsa dhunuan seksualisht të miturën, njëri prej tyre i dyshuar për vepra të ngjashme penale

Njëri nga pesë të dyshuarit për përdhunimin e vajzës 11-vjeçe në Prishtinë, Ekrem Rexhepi (26-vjeç), në databazën e Policisë së Kosovës figuron si i dyshuar edhe për vepra penale të ngjashme dhe për vepra penale tjera, thuhet në dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Sipas “Express”, një vajzë e mitur, vetëm 11-vjeç, dyshohet se u dhunua seksualisht të shtunën nga pesë persona, ku katër nga ta janë arrestuar, në mesin e të arrestuarve është Ekrem Rexhepi dhe vëllai i tij i mitur, të dyve dje u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, veç e veç.

Të hënën në mbrëmje u konfirmua arrestimi i dy personave tjerë të dyshuar për dhunimin e vajzës, ndërsa policia më vonë njoftoi për identifikimin e personit të pestë të dyshuar, i cili sipas policisë është kërkuar në shtëpi por nuk është gjetur dhe i njëjti ndodhet në kërkim policor.

“Lidhur me rastin e “ dhunimit” policia deri në këtë fazë ka arrestuar gjithsej katër (4) persona, personi i pestë (5) është identifikuar, është kërkuar në shtëpinë e tij, nuk është gjet në shtëpi dhe i njëjti ndodhet në kërkim policor”, ka njoftuar policia në mbrëmjen e së hënës.

Prokuroria, bazuar në deklaratën e viktimës, në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj 26-vjeçarit, përshkruan sesi ka ndodhur dhunimi i së miturës.

“Përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.

“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria, transmeton Gazeta Express.

Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara. Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhenie me të.

Për ngjarjen që tronditi Kosovën është thirrur edhe protestë. Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se të mërkurën do të protestojnë duke nisur nga ora 12:00. Protesta do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Aty do të kërkohet mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit, si dhe legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).


Shtuar 30.08.2022 08:10