Mekuli kundërshton shpërblimin prej 2.500 eurosh për policët dhe e lidh situatën me rrezikun e Vajmarit

Vendimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për t’u dhënë 2.500 euro secilit efektiv policie të angazhuar në protestat e fundit ka sjellë reagimin e publicistit Gëzim Mekuli.

Të lidhura

None found

Mekuli e ka kritikuar ashpër mënyrën se si Rama po i trajton studentët dhe protestuesit. Në reagimin e tij, ai e ka krahasuar klimën aktuale me atë të Republikës së Vajmarit në Gjermani, duke paralajmëruar se propaganda, korrupsioni dhe grumbullimi i pushtetit mund ta dëmtojnë demokracinë nga brenda.

Sipas publicistit, kur një kryeministër përdor komunikimin publik për të sulmuar qytetarët, për t’i bullizuar dhe për t’iu shmangur përgjegjësisë politike, institucionet humbasin besimin e njerëzve. Ai ka theksuar se demokracia nuk është pronë e Edi Ramës apo e oligarkëve, por u përket qytetarëve.

Mekuli i ka bërë thirrje Ramës të reflektojë dhe të dëgjojë studentët, rininë e popullin, duke mos u shndërruar, sipas tij, në zëdhënës të oligarkisë dhe mafisë. Ai ka deklaruar se kryeministri duhet t’i drejtohet qytetarëve në emër të qeverisë dhe jo në emër të oligarkisë e milicisë, për të cilën tha se po paguhet 2.500 euro. Sipas tij, kjo shumë është më e lartë se pagat që marrin policët në Norvegji, Gjermani, Itali apo Greqi.

Publicisti u ka kërkuar studentëve, prindërve, grave, burrave, të rinjve dhe të moshuarve të dalin në rrugë e në sheshe, duke i nxitur të mos frikësohen. Ai ka argumentuar se këtë të drejtë ua ka garantuar vetë Rama në konferencën e tij të shtypit.

Thirrja e Mekulit ka qenë për protesta të fuqishme, por pa dhunë, në frymën e rezistencës gandiane, me synim paralizimin e jetës së regjimit. Ai ka pretenduar se, sipas Ramës, edhe një popull i qetë që kërkon drejtësi dhe llogaridhënie mund të shpallet i dhunshëm ose “i sëmurë psiqik”.

Duke iu referuar shprehjes “Miku im Vuçiq”, Mekuli ka thënë se kjo frazë, sipas tij, ka lënduar 2 milionë shqiptarë të Kosovës dhe ka shkaktuar panik te 8 milionë shqiptarët në glob. Ai ka deklaruar se nuk mund të ketë protestë, qeveri apo akademi që ta mirëkuptojë dhe arsyetojë një qëndrim të tillë.

Reagimi i plotë u publikua në Facebook dhe u përcoll nga “Bota sot”.


Shtuar më 19.10.2026 13:52