Çfarë ka ndodhur me Ervis Martinaj? Të dhëna kontradiktore, 10 ditë mister dhe armiq të frikshëm! 2 pistat kyçe

Për dhjetë ditë me radhë po qarkullojnë të dhëna kontradiktore dhe një hije misteri rreth zhdukjes së Ervis Martinajt.

Gjatë kësaj kohe, policia dhe SPAK po verifikojnë disa të dhëna për zhdukjen e Martinajt.

Dy janë pistat kryesore ku po heton policia, pas denoncimit nga xhaxhai për zhdukjen e nipit të tij.

Pista e parë që po hetohet është ajo e rrëmbimit me pasojë eliminimin fizik të personazhit të njohur të botës së krimit, raporton albeu.com.

Ndërsa pista e dytë është ajo e një inskenimi të mundshëm me qëllim humbjen e gjurmëve.

Disa media thanë ditën e djeshme se ai mund të jetë vrarë, por ende asgjë nuk është e konfirmuar.

Albanian Post deklaronte ditën e djeshme se trupi i tij besohej se ishte gjetur i ndarë në dy pjesë.

Kujtojmë se Martinaj kërkohej edhe më parë nga SPAK, si i dyshuar për porositjen e një vrasjeje që nuk u realizua për të cilën i kishte ofruar të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani deri në 500 mijë euro, për vrasjen e Endrit Dokles.

Historia e Ervis Martinaj:

Konfliktet e Martinajt me policinë dhe bandat e tjera janë të hershme.

Gjithçka nisi në vitin 2013 ku Martinaj kërcënon me jetë, shefin e repartit special “Shqiponja”, në kulmin e operacionit të lojërave të fatit.

Martinaj asokohe u dënua me burg dhe u gjobit disa herë për organizimin e palejuar të lotarive në kryeqytet.

Në vitin 2015, Martijan u dënua 1 vit e 4 muaj për vrasjen e Enton Nikës dhe plagosjen e Ismet Gaxherrit.

Martinaj figuronte i përfshirë edhe në dosjen kundër Shullazit, ku sipas biznesmenit Ylvi Beqaj, ai i ka ofruar atij 7 milion euro dhe e ka kërcënuar të mos hapë gojë kudër Shullazit.

Ndërsa në 4 tetor të vitit 2018, Martinaj dhe njerëzit e tij patën një përplasje në një prej lokaleve më të shtrenjta të Bllokut në kryeqytet me Ervin Matën dhe njerëzit e tij, raporton albeu.com.

Gjatë përleshjeve mbeti viktimë një prej miqve të Martinajt, Fabian Gaxha.

Në gusht të vitit 2019 në Tiranë u ekzekutua ish polici Santiago Malko, ndërsa në hetimet e SPAK nënvizohet se plani ishte edhe vrasja e Ervis Martinaj.

Për këtë vrasje, u dënua vetëm Bledi Teta me 25 burg. Në kërkim janë Leonard dhe Erlis Duka dhe disa persona te tjerë të cilët kishin rol në këtë organizimin dhe ekzekutimin e Malkos.

Ndërsa në 13 nentor te vitit të kaluar po në Tiranë do ekzekutohej Erigers Mihasi, i cili njihej si shok i ngushtë i Ervis Martinajt, ndërsa viktima tjetër Armando Dumani pasagjeri që ndodhej me të në Audin e bardhë, rezulton se është fqinj i tij në Yrshek.

Më 23 korrik të këtij viti, ranë në pritën e kundërshtarëve të Martinajt në Fushë-Krujë, 23-vjeçari Brilant Martinaj së bashku me dy shokët Diklen Vata dhe Besmir Hoxha, të cilët mbetën të vdekur.

Rasti i fundit i sulmeve ndaj miqve të tij është më 22 korrik të këtij viti atentat iu krye mikut të tij Ylli Brahimaj në Milot, i cili mbeti i plagosur rëndë.

Sot edhe fati i vetë Martinajt nuk dihet dhe një prej armiqve të tij mund të jetë edhe Endrit Dokle, pasi i penduari Nuredin Dumani dëshmoi se Martinaj kishte paguar 500 mijë euro për ta hequr qafe ish-kapobandën e Durrësit./albeu.com/