Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Korçës, pasi dyshohet se do të kryente një vrasje me pagesë.
Bëhet e ditur se Strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë organizuan operacionin e koduar policor “Matrix” pas informacioneve se një 26-vjeçar, që muaj e fundit kishte dalë nga burgu, mund të kryente një vrasje me pagesë.
Në pranga u vu K. A., 26 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. I riu u lokalizua nga policia në lagjen nr. 14, Korçë.
26-vjeçari, sapo ka kuptuar se ishte nën ndjekjen e Policisë, është përpjekur të largohet me shpejtësi dhe ka nxjerrë nga brezi, armën e mbushur, të cilën e ka hedhur në një kosh, në anë të rrugës. Arma u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu hetimet kanë nisur për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, për një 17-vjeçar, që, në momentin e kapjes, ka qenë i shoqëruar me 26-vjeçarin. Dyshohet se adoleshenti ka qenë në dijeni që personi me të cilin shoqërohej ishte i armatosur./albeu.com/