Zgjidhja e bllokadës së Rusisë ndaj eksporteve ukrainase është një çështje “jete dhe vdekjeje për shumë qenie njerëzore”, tha të hënën shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, sipas CNN.
“Rusia duhet të zhbllokojë dhe të lejojë eksportin e grurit ukrainas”, u tha Borrell gazetarëve përpara një takimi të ministrave të jashtëm europianë në Bruksel.
Për çfarë do të flasin? Takimi do të fokusohet në Ukrainë. Ministri i Jashtëm i Kievit Dmytro Kuleba pritet të marrë pjesë në takim dhe të raportojë mbi situatën në terren. Ministrat do të diskutojnë rreth sanksioneve kundër Rusisë dhe të rrisin mbështetjen ushtarake për Ukrainën, tha Borrell.
Të mërkurën, Komisioni i BE-së do të diskutojë gjithashtu furnizimin me gaz dhe shkëputjen e bllokut nga energjia ruse.
“Ne nuk do të ndalojmë së mbështeturi Ukrainën dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Sigurisht që ekziston një rrezik për furnizimin tonë me energji. Të gjithë e dinë këtë”, tha Borrell.
Ai shtoi se Komisioni dhe Këshilli i BE-së ishin të përgatitur për t’u përballur me “çdo situatë të mundshme”.