Teksa rastet me Covid 19 janë rritur ndjeshëm në gjithë Shqipërinë, një fat të tillë ka pasur edhe Berati.
abcnews.al bën me dije se gjatë kësaj jave që po mbyllim janë konstatuar 25 raste koronavirusi vetëm te fëmijët, të cilët kanë patur temperaturë të lartë për katër ditë me radhë.
Situata ka qenë më e vështirë për 3 prej tyre, të moshës 0-4 muajsh, të cilët janë nisur me urgjencë drejt Tiranës për shkak të komplikacioneve me frymëmarrjen.
Të dhënat bëhen të ditura nga Shefi i Repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit,mjeku pediatër Vladimir Kumaraku. Ai pohon se rastet kanë qënë të shumta dhe në rritje nga dita në ditë, megjithatë sipas tij simptomat nuk janë të rënda përveç ndonjë rasti specifik.
Sipas tij,aktivizimi i virusit tek fëmijët në këtë stinë lidhet me lëvizjet e qytetarëve drejt plazheve dhe takimet e tyre me familjarët emigrantë që kthehen në vend.
“Ka pasur një ecuri në rritje të numrit të rasteve me Covid-19 por rritja e numrit të rasteve nuk duhet të rrisë alarmin por duhet të na bëjë të kujdesshëm dhe ti ndjekim raste në shtëpi. Çdo ditë regjistrohen nga 3 raste të reja fëmijësh të prekur nga koronavirusi, por fatmirësisht graviteti i sëmundjes nuk ka qënë i lartë. Rastet e fëmijëve të prekur nga Covid-19 po trajtohen në shtëpi, duke mbajtur kontakt të vazhdueshëm me mjekun për ecurinë e virusit. Tre fëmijë të moshave 0-4 muajsh kanë qënë në gjendje të agravuar dhe me probleme respirative dhe janë dërguar për trajtim më të specializuar në Tiranë. Rastet kanë qënë të shumta,në rritje nga dita në ditë por forma që po paraqet Covidi nuk ka shenja të rënda”, thekson ai duke shtuar se numri i vizitave ka shkuar deri në 60 të tilla në ditë.
“Numri i vizitave shkon deri në 60 vizita në ditë,ndërkohë që gjatë fundjavës arrin edhe deri në 100 fëmijë.Ajo që e dallon këtë formë të Covid-it që ka pësuar mutacione të ndryshme është temperatura e lartë që shfaq tek fëmijët, temperaturë që zgjat deri në 3-4 ditë dhe që është një temperaturë e qëndrueshme dhe që reagon shumë pak ndaj medikamenteve për uljen e saj.Përveç temperaturës, fëmijët kanë edhe këputje trupore,dhimbje të muskujve e kokës dhe lodhje. Pas 4 ditësh,temperatura shkon drejt rënies dhe situata klinike e fëmijëve fillon të përmirësohet.Deri tani ne nuk kemi asnjë të dhënë të saktë në lidhje me komplikacionet apo pasojat që mund të lërë tek fëmijët ky virus por pas trajtimit të rasteve do të kemi të dhëna të mjaftueshme për të dalë edhe në konkluzionet në lidhje me mënyrën e paraqitjes,mënyrën e trajtimit dhe pasojat që mund të lërë“, shtoi mjeku. /abcnews.al