Ngecin të bllokuar në një teleferik, turistët nuk presin policinë, zbresin me litarë (VIDEO)

Dhjetëra turistë kanë mbetur të bllokuar në një teleferik teksa po udhëtonin mbi vargamalin Shivalik në Indi.

Grupi mbeti i bllokuar për më shumë se një orë përpara se ekipet e policisë dhe zjarrfikësve të mbërrinin për të ndihmuar në evakuimin e teleferikut.

Disa nga të bllokuarit nuk kanë pritur që autoritetet të vijnë në ndihmë të tyre, por kanë zgjedhur të zbresin me anë të një litari, duk rrezikuar jetën e tyre dhe duke krijuar panik tek personat e tjerë të pranishëm.

Kjo nuk është hera e parë që në Indi ndodh një ngjarje e tillë. Daily Mail raporton se më 13 tetor 1992, kur kablloja e transportit u prish pranë stacionit të dokimit dhe teleferiku me 11 pasagjerë rrëshqiti mbrapsht.

Në panik, operatori u hodh nga makina në momentin që ajo filloi të rrëshqiste dhe humbi jetën.

“Në Indi siguria nuk është kurrë proaktive, ajo mendohet vetëm kur jetët vihen në rrezik,” tha një përdorues duke komentuar nën raportin e Time’s of India.

Një tjetër kërkoi që teleferiku të pezullohet derisa operatorët të provojnë se përmbushin standardin ndërkombëtar të sigurisë të miratuar nga Ministria e Turizmit./albeu.com