Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë ftesë nga homologu i tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në samitin e nismës “Ballkani i Hapur”, që pritet të mbahet në Shkup, në datat 7 dhe 8 qershor 2022.
Mirëpo, në letrën e Kurtit drejtuar kryeministrit Kovaçevski nuk ka ndonjë konfirmim për pjesëmarrjen apo jo të tij në samitin e nismës ‘Ballkani i Hapur’.
Në një pjesë të letrës Kurti i kërkon Kovaçevskit që të punojnë për parandalimin e Serbisë që të promojë interesin e saj rus dhe kinez për rajonin.
“Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”, shkroi Kurti.
Po ashtu Kurti ia përmendi Kovaçevskit se si Serbia në kuadër të Procesit të Berlinit po kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës.
“Siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë”, shkroi Kurti.