Politikani opozitar, Aleksei Navalny, tha se është njoftuar nga hetuesit se ai përballet me akuza të reja për “krijimin e një grupi ekstremist” në lidhje me Fondacionin e tij Kundër Korrupsionit dhe grupet e tjera që janë të lidhura me të.
Përmes një serie postimesh më 31 maj në Twitter, përmes së cilave ai u tall me zyrtarët rusë për një sërë rastesh që po ngrihen kundër tij, kritiku i Kremlinit tha se ai po akuzohej zyrtarisht për krijimin e Fondacionit Kundër Korrupsionit, institucion që ka ekspozuar korrupsionin midis zyrtarëve, përfshirë edhe presidentin rus, Vladimir Putin.
“Ndoshta Putin nuk më urren, ndoshta ai fshehurazi më adhuron. Prandaj ai dëshiron që unë të jem i fshehur në një bunker nëntokësor, të më rrethojë me njerëz të besueshëm, sikurse ai”, shkroi Navalny.
“Si mund ta shpjegoj faktin që nuk kanë kaluar as tetë ditë prejse ka hyrë në fuqi dënimi 9-vjeçar ndaj meje dhe sot hetuesi vjen dhe zyrtarisht inicion ndaj meje një rast të ri”.
Fondacioni Kundër Korrupsionit dhe grupet e tjera të lidhura me Navalnyn, por edhe lëvizja e tij politike, janë shpallur “organizata ekstremiste” nga autoritetet ruse në qershor të vitit 2021.
Disa bashkëpunëtorë të Navalnyt veçse janë akuzuar për akuzën e njëjtë.
“Del se unë kam krijuar një grup ekstremist për të iniciuar urrejtje ndaj zyrtarëve dhe oligarkëve. Për këtë akuzë ata mund të më shtojnë edhe 15 vjet burgim”, tha ai.
Navalny u arrestua në janarin e vitit të kaluar, pasi u kthye në Moskë nga Gjermania, ku ishte trajtuar për një helmim gati vdekjeprurës, që sipas laboratorëve evropianë kishte përmbajtje të agjentit nervor, Novichok.
Ai u dënua me dy vjet e gjysmë burgim për shkeljet e një dënimi të mëhershëm me kusht.
Javën e kaluar, një gjykatë i shqiptoi dënim prej 9 vjetësh për keqpërdorime me fonde.
Ai dhe bashkëpunëtorët e tij thonë se të gjitha akuzat janë të motivuara politikisht./albeu.com