Zinchenko shpërthen në lot: Sot është Ukraina, nesër mund të jetë vendi juaj (VIDEO)

Mbrojtësi i krahut të Ukrainës dhe Manchester City, Oleksandr Zinchenko, nuk ishte në gjendje të përballonte emocionet e tij ndërsa foli përpara ndeshjes kualifikuese të vendit të tij kundër Skocisë.

Ndeshja fillimisht ishte caktuar për në fillim të këtij viti, por u shty për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Zinchenko, si shumë nga shokët e tij të skuadrës, ishte i shpejtë për të kthyer vëmendjen në çështje përtej futbollit kur u përball me mediat.

“Ne duhet ta ndalojmë këtë,” tha Zinchenko. “Sot është Ukraina, nesër mund të jetë vendi juaj. Është e pamundur të përshkruhet ajo që po ndodh, është e papranueshme, prandaj duhet ta ndalojmë.

Ne duhet të fitojmë. Ukraina është një vend i lirisë. Të gjithë duan që lufta të ndalet, të gjithë ukrainasit. Kjo është ëndrra jonë e vetme.”

Në vazhdim, Zinchenko shpjegoi se ndihet “më i dobishëm nga Manchesteri”, nga ku mund të dërgojë para në shtëpi në Ukrainë, në përpjekje për të ndihmuar ku të mundet.

Duke e kthyer vëmendjen te futbolli, Zinchenko zbuloi se sa të motivuar janë ai dhe bashkatdhetarët e tij.

“Ne do të përpiqemi të kualifikohemi për Kupën e Botës”, tha Zinchenko. “Ne do të përpiqemi t’i bëjmë njerëzit tanë të lumtur. Motivimi ynë është më shumë se 100 për qind”./ h.ll/albeu.com