Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit Lefter Kokën për heqjen e masës së arrestit.
Ish-ministri është arrestuar për aferën e 4,9 milionë eurove për inceneratorin e Elbasanit dhe atij të Fierit.
Arrestimi i Kokës
Koka ishte i pari që u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) më 14 dhjetor, për korrupsion dhe shpërdorim detyre për inceneratorët.
Ishte GJKKO-ja, e cila më 16 dhjetor vendosi masën e sigurisë “arrest me burg’”. Në dëshminë e tij, gjatë seancës, ish-ministri theksoi se “nuk e kam shkelur ligjin”.
Arrestimi ka ardhur, pasi u kallëzua penalisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim për çështjen e inceneratorëve.
Akuza e LSI-së lidhej me pretendimet për shkelje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit.
Gjashtë ishin arsyet e aktit të ndërmarrë nga LSI-ja.
E para lidhet me emërtimin e procedurës.
Sipas kryetares së kësaj partie, Monika Kryemadhi, ajo është publikuar si “Tender Kombëtar”, kur realisht duhej të ishte “Tender i hapur ndërkombëtar”.
Së dyti, sipas saj, ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori.
Së treti, pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive, sipas pretendimeve nga LSI.
Arsyeja e katërt lidhej me afatin e zgjatur të punimeve. E pesta me publikimin e procedurës dhe e gjashta me zhvendosjen – e pretenduar e jashtëligjshme – e inceneratorit.