Roma-Feynoord, 25 maj, Tiranë. Finalja e Conference League në sezonin e saj të parë që do të luhet në “Air Albania Stadium” prezantohet me një superduel që do të sjellë në kryeqytet një lumë tifozësh nga të dyja skuadrat.
Janë caktuar dy ekipet e fundit në garë pas ndeshjeve të dyta gjysmëfinale ku skuadra e Jose Mourinhos theu Leicester City 1-0 me gol të Abraham duke rikthyer edhe një herë “Special One” në një finale europiane pas suksesit të fundit me Manchester United në Europa League.
Një sfidë shumë e luftuar edhe ajo e “Velodrome” në Francë ku Marseille nuk arriti ta thyente murin e Feynoord që rigjen kështu një finale në Europë pas rreth 50 vjetësh dhe do të kërkojë në Tiranë një tjetër trofe kontinental për të pasuruar muzeun e lavdishëm të skuadrës nga Roterdami. 0-0 në ndeshjen e dytë i mjaftoi ekippit bardhekuq për të siguruar finalen pas suksesit 3-2 të ndeshjes së parë.
Finalja e Conference League parashikohet të sjellë rreth 40 apo 50 mijë tifozë vetëm nga Roma edhe pse në dispozicion të verdhekuqve do të jenë rreth 5 mijë bileta, ndërsa do të ketë dyndje të madhe edhe të tifozëve holandezë të njohur për agresivitetin e tyre dhe sjelljet e dhunshme në transferta e Roterdam. Vetëm pak vite më parë, tifozët nga Rotterdami shkatërruan qëndrën e Romës në prag të një dueli të vlefshëm për Europa League.