Ergys Dashi, ishte një emër jo shumë i lakuar në ambientet e kronikës së zezë në Shqipëri. Të paktën, kështu dukej, deri më 23 janar 2022. Mbrëmjen, ku 20 plumba të derdhur ndaj tij në një lokal në Ekuador, do të zbulonin edhe Cv-në e tij të pasur në botën e narkotrafikut. Emisioni ‘Në shënjestër’ sjell detaje të pathëna në lidhje me profilin dhe veprimtarinë e Dashit.
Se si një djalë nga Durrësi që jetonte midis Torinos dhe Amsterdamit, kishte mundur të ngjitej kaq lart në organizimin e një prej rrjeteve më të sofistikuara ndërkombëtare të tregtisë së kokainës. Që lidhte në mënyrë të enkriptuar, dy botët e drogës, atë të Amerikës së Jugut dhe Evropës. Por si mundi ky 34-vjeçar të ishte ndërlidhësi i kokainës midis Ekuadorit dhe Evropës. Si arriti të krijonte në fare pak kohë një rrjet kaq të sofistikuar trafikimi dhe shpërndarje, në disa prej lokacioneve më të rëndësishme metropolitan të Evropës.
Por mbi të gjitha, si mundi të ishte një emisar i suksesshëm i drogës në Ekuador, duke qenë vetë ndërmjetësi për kalimin e tonelatave me kokainë drejt Evropës. Ndërkohë, që Ekuadori ishte kthyer nga një parajsë, në varrin e trafikantëve shqiptarë të drogës. Të cilët po eleminoheshin një e nga një, duke e kthyer këtë vend të largët për Shqipërinë, në vendin funebër të bosëve dhe komisarëve të rinj shqiptarë të drogës.
Fat, të cilit duket se nuk do t’i shpëtonte as Ergys Dashi. I riu nga Shqipëria ishte një emër jo shumë i trazuar në Shqipëri në botën e krimit. Të paktën kështu dukej deri ditën kur nga përtej Oqeanit Paqësor erdhi lajmi për ekzekutimin e shqiptarit të radhës në Ekuador. Një ekzekutim tipik mafioz që zbuloi njëkohësisht edhe udhëtimin e një personazhi enigmatik për shqiptarët, por jo për drejtësinë e huaj. Drejtësi, e cila e kishte në monitorimin e saj të vazhdueshëm, si një nga organizatorët më të mëdhenj të transportit të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.
Punë, për të cilën mesa duket kishte udhëtuar së fundmi drejt Ekuadorit, ku edhe humbi jetën. Ergys Dashi, po darkonte mbrëmjen e 23 janarit 2022 në një nga restorantet e zonave më të njohura rezidenciale të Guajakilit. Një qytet port i njohur si një nga pikat më të rëndësishme të kalimit të sasive të mëdha të kokainës nga Ekuadori drejt botës tjetër përtej oqeanit. 34-vjeçari, nga Durrësi, por që prej vitesh jetonte midis Italisë dhe Hollandës, kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur në Guajakil.
Atë mbrëmje ai kishte zgjedhur të darkonte në një nga tavolinat që ndodheshin në fundin e restorantit. Tavolinë që shikonte nga dera kryesore e lokalit, kundër kohë po zhvillohej një ditëlindje. Nuk dihet nëse kjo ishte një zgjedhje rastësore e tij, apo një mendim për t’u ruajtur nga ndonjë surprizë e pakëndshme. Edhe pse lokali ku po darkonte ndodhej në një nga zonat më të mbikëqyrura të qytetit. Ishte ora 19:00 e mbrëmjes, ku ndërsa Dashi vazhdonte i qetë të darkonte në restorantin ‘Grilling’ në rrugën Jose Joaquin Orrantia (Hoze Hoakuin Orrantia), përballë qendrës tregtare ‘Mall del Sol’, dy burra shtatshkurtër u shfaqën të maskuar në derën kryesore të restorantit.
Pavarësisht insistimit të rojeve të sigurisë, të cilët u kërkuan certifikatën e vaksinimit, dy burrat ku njëri mbante një buqetë me lule në duar, nën kërcënimin e armëve, mundën të futen në restorant dhe të afrohen në vendin ku shqiptari qëndronte. Ergys Dashi u qëllua për vdekje me 20 plumba, ku ai në kokë, e la të vdekur në vend. Ndërkohë që terrori pushtoi sakaq restorantin që tashmë ishte kthyer në një katrahurë të vërtetë nga britmat e të pranishmëve. Ndërsa plumbave nuk u shpëtoi edhe një e re që po darkonte në tavolinën ngjitur me Ergys Dashin. Menjëherë pas ngjarjes tronditëse, policia ekuadoriane u shpreh se një nga pistat për ekzekutimin e shqiptarit, mund të jetë bërë e tashmja e tij, si një personazh i shumëpërfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Por kush ishte Ergys Dashi?
Cilat ishin lidhjet e tij me botën e narkosit?
Si arriti ky personazh, të ngjitej kaq lart dhe kaq shpejt në perandorinë e kokainës, duke krijuar lidhje kaq të fuqishme midis dy botëve të krimit, asaj amerikano-jugore dhe organizatave kriminale në Evropë.
Dhe kush ishte i interesuar për ta ekzekutuar atë?
Për të na ndihmuar se kush ishte ky personazh dhe çfarë përfaqësonte ai në linjën ndërkombëtare të narkotrafikut, ‘Në shënjestër’ ka siguruar për herë të parë dosjen italiane të hetimeve ndaj 34-vjeçarit dhe bandës së tij, që tashmë kishte hapur degëzimet e saj në mbarë Evropën. Dosje e cila na tregon më qartë se si funksiononte banda e tij, por edhe se si shqiptarët, tashmë ishin kthyer nga ushtarë në komisarë të drogës që kalonte nga Ekuadori në Evropë.
Sipas të dhënave që disponon ‘Në shënjestër’, Ergys Dashi ishte arrestuar fillimisht më 18 shtator 2014, bashkë me 31 persona të tjerë, në kuadër të një organizate kriminale që merrej me trafikun e drogës. Ku vetë Dashi rezultonte të ishte një nga kokat e kësaj organizate, ku menaxhonte trafikun e drogës që blihej me shumicë, në vende si Shqipëria, Spanja dhe Bolivia. Drogë, e cila më pas shpërndahej në Itali. Por edhe pse në vitin 2014, pjesa më e madhe e bandës së tij, u dënua me burgim, Ergys Dashi, në atë kohë vetëm 25 vjeç, nuk hoqi dorë nga puna e tij si organizator i trafikut të drogës.
Madje, jo vetëm kaq, por sipas investigimeve italiane, ai vendosi lidhje të forta me kartelet e drogës në Ekuador. Ndërsa ishte e paqartë se kush ishte dega e kartelit që ai përfaqësonte në Shqipëri. Referuar dosjes italiane të hetimeve të siguruar ‘Në Shënjestër’, Ergys Dashi dhe bashkëpunëtorët e tij, mësohet se kishin mundur të trafikonin me qindra tonelata kokainë nga Ekuadori në Evropë. Madje, autoritetet italiane e kishin cilësuar mbresëlënëse, mënyrën se si shqiptari dhe banda e tij kishin mundur të thyenin çdo barrierë duke e kaluar kokainën nga Amerika e Jugut në Evropë. Një bandë që përbëhej nga 16 anëtarë nga të cilët 13 prej tyre ishin shqiptarë dhe të tjerët të kombësive të huaja.
Sipas hetuesve italianë, promotori i kësaj veprimtarie ishte Ergys Dashi, i cili njëkohësisht ishte koordinatori dhe organizatori, që kujdesej për sigurimin e lëndës narkotike. Po kështu koordinimin dhe organizimin e punës në territorin piemontez, si edhe për dërgesat e drogës që vinin nga Amerika e Jugut drejt Holandës dhe vendeve të tjera të Evropës. Por skrupuloziteti i Ergys Dashit në këtë sipërmarrje ishte i tillë, sa ai merrej vetë edhe me menaxhimin e bazave operacionale në Itali dhe atyre logjistike në Holandë.
Si edhe koordinimin e punëve të korrierëve të drogës. Kjo me qëllim që të arrinte një fitim sa më të konsiderueshëm financiar. Ndërkohë që bashkëpunëtori i tij më i ngushtë sipas hetimeve italiane rezultonte të ishte Edmond Dashi, një i afërm i tij. Që e asistonte kushëririn e tij të parë në menaxhimin e bazave të drogës. Për të cilat, në dosjen italiane të kësaj bande, thuhet se vazhdoi me një shpërndarje mahnitëse në veriperëndim të Italisë. Hetimi ndaj Ergys Dashit dhe bandës së tij do të niste pas arrestimit në flagrancë më 23 Qershor 2017, të shqiptarit Emiliano Sheroku, që udhëtonte në makinë me mbi 1 kg kokainë në bord. Arrestim, që erdhi pas monitorimit të vazhdueshëm pranë shtëpisë së Sherokut, kur në orën 17.30 të kësaj dite, policia konstatoi mbërritjen e një makine Audi A3 me ngjyrë të zezë me targa sllovene.
Ku në drejtimin e këtij mjeti ishte një mashkull, i moshës rreth 35-40 vjeç. Drejtues i cili më pas u identifikua si Edmond Dashi. Ku pasi Sheroku ngjitet në makinën e tij, zbret nga aty me një zarf plastik të bardhë në dorë, që më pas u zbulua se ishte kokainë. Ishte ky moment kur policët bllokuan menjëherë Sherokun ndërsa korrieri u largua. Pas arrestimit të Emiljano Sherokut, interesi hetimor u përqendrua më tej te Edmond Dashi si edhe shqiptari tjetër Astrit Bajraktari, banues në Torino, ku nga hetimet doli se ky i fundit shërbente si ndërmjetës i kokainës midis Edmond Dashit dhe Emiljano Sherokut. Rol i cili u zbulua nga përgjimet ambientale ku Astrit Bajraktari e pyeste Emiljano Sherokun, i cili njihej edhe si Mondi ‘se sa e merrte këtë’ për kokainën. Ndërsa Bajraktari përgjohej teksa i thoshte Sherokut se çmimi ishte te 33-35 mijë euro për kilogram.
Madje duke i specifikuar edhe disponimin e cilësive të ndryshme të kokainës.
Astrit Bajraktari: “Varet … 35 … 34, 33 e gjysmë … si është ..? e mirë, sepse ka edhe nga ajo e cila nuk është e mirë është më pak e fortë..!!”.
Pasi e mësoi këtë, Sheroku e pyeti bashkatdhetarin e tij se sa kushtonte blerja e furnitorëve të pranishëm “në” Evropën Veriore ose në Holandë, aty ku Ergys Dashi del se zotëronte tregun.
Emiljano Sheroku: “… Çfarë është lart? 23 ?!…”.
Ndërsa Mondi, në këtë rast Astrit Bajraktari dëgjohet teksa e sqaron se çmimi për atë, duke iu referuar Ergys Dashit, që punon në Hollandë, është 22 mijë euro për kilogram. E gjithë biseda mbyllet me ankesën e Emiljano Sherokut, i cili i ankohet Astrit Bajraktarit, Mondit, se në Torino ‘po i linin pa ngrënë’.
Duke aluduar mesa duket për mungesën e drogës në sheshet lokale të Torinos. Do të ishte kjo bisedë e përgjuar midis Emiljano Sherokut dhe Astrit Bajrakktarit që do të niste edhe ndjekjen e Edmond Dashit, i konsideruar si numri 2 i bandës, i cili, nga hetimet rezultonte se banonte në Torino. Ku hetuesit futën në gjeolokacion veturën Audi A3 me ngjyrë të zezë me targa sllovene që u konstatua gjatë arrestimit në flagrancë të Emiljano Sherokut. Një automjet që rezultoi nga hetimet se përdorej edhe nga kushëriri i tij, Ergys Dashi, i cili kishte dy vendbanime, një në kryeqytetin hollandez Amsterdam si edhe në Kasale në Itali.
Ku nga bashkëpunimi me Eurojust (Euroxhast) në Hollandë, autoritetet italiane arritën në konkluzionin se kishin të bënin me ekzistencën e një organizate të strukturuar kriminale me drejtim lart-poshtë, e cila kishte lidhje të forta në trafikun e drogës. Ku u shqua karakteri ndërkombëtar i kësaj organizate që operonte përmes kanaleve dhe degëve të vendosura në Kolumbi, Hollandë, Slloveni. Ku në krye të organizatës kriminale qëndronte i dyshuari Ergys Dashi. i cili thuhet se u kishte siguruar një rrogë mujore të majme vartësve të tij. Ndërsa kushëririt të tij një rrogë të përhershme, me qëllim që ky i fundit të kryente operacionet e ruajtjes dhe transportit deri në destinacion të lëndës narkotike.
Ku për të zbërthyer këtë rrjet, investiguesit italian kapën edhe këtë bisedë të Ergys Dashit, me përmbajtje të qartë, nga ku rezulton se ky i fundit ka paguar shumën prej 3 mijë euro në muaj për korrierë të ndryshëm, në këmbim të transportit të një sasie të madhe droge. Ku nga ana tjetër kushëriri i tij Edmondi ishte paguar në lidhje me drogën, duke marrë kështu një shumë më të madhe, e barabartë me afërsisht 5 mijë euro në muaj.
Ndërsa Ergys Dashi i kujton atij, se ishte paguar me shumë se çdo anëtar tjetër….
Ergys Dashi: “Të tjerët marrin 3000 euro në muaj dhe shkojnë të marrin 200 bukë në muaj. Je i vetmi që paguhesh me copë…në bukë…minimumi ishte 5 mijë…”.
Parë që të dy nuk merreshin me pjekje buke, sipas hetuesve italianë, është e qartë se referimi për ‘bukët’ në fakt kishte të bënte me trafikun e ‘blloqeve’të drogës të llojit kokainë. Kjo referuar edhe bisedave të mëvonshme, të sekuestrimeve të kryera si edhe shumave të konsiderueshme të parave të përmendura, të përfituara nga shitja e drogës
Biseda të përgjuara në bordin e makinës Audi A3 me targë A KPKN922, ndërmjet Ergys Dashit dhe Edmond Dashit.
11.04.2017, ora 13:58:36
Ergys Dashi: Po ti nuk e kupton që këtu ka edhe të tjerë … kurse këtu … je vetëm ti dhe PUMA
Odisea Leka: … Përse edhe Puma i do paratë kur shkon dhe merr … Ti je i vetmi që paguhesh me ‘copë’ …. me ‘bukë’…..Të tjerët marrin nga 3000 euro në muaj…dhe shkojnë marrin 200 bukë në muaj! …. Dhe ti vazhdon akoma …. por çfarë mendon se paratë gjenden në tokë.
Edmond Dashi: Por ti e di që unë kam më shumë se një vit këtu…që po të punoja me 3 mijë euro në muaj…..
Ergys Dashi: Po ti nuk more 3 mijë, më e pakta ishte 5 mijë euro në muaj…. më e pakta ishte 51 … Duhet ti thuash faleminderit Zotit!/Balkanweb