Shpallja “non-grata” e Aqif Rakipi, reagon Gazmend Bardhi

Pasi Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli sot “non grata”, ish-deputetin e PS, Aqif Rakipi, ka reaguar edhe ish sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Në një shënim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se për herë të parë SHBA shprehet qartë se krimi i organizuar ka ndikim në politikën shqiptare.

Sipas tij, zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar e provuan një gjë të tillë.

Bardhi nënvizon se evidentimi me emër dhe mbiemër nga SHBA i politikanëve të lidhur me krimin e organizuar dhe të korruptuar është një standart që meriton respekt dhe duhet të vijojë. Ai thotë se vetëm me mbështetjen e SHBA mund të pastrohet politika shqiptare.

“Për herë të parë SHBA shprehet qartë se krimi i organizuar ka ndikim në politikën shqiptare, duke përdorur para dhe dhunë për të përcjellë mbështetje drejt kandidatëve të preferuar. Zgjedhjet e Prillit 2021, veçanërisht në Elbasan, e provuan këtë dhe përfituesi i drejtpërdrejtë dhe arkitekti i kësaj skeme ishte dhe mbetet Edi Rama.

 

Evidentimi me emër dhe mbiemër nga SHBA i politikanëve të lidhur me krimin e organizuar dhe të korruptuar është një standart që meriton respekt dhe duhet të vijojë. Vetëm me mbështetjen e SHBA mund të pastrohet politika shqiptare dhe qeverisja tju kthehet njerëzve”, shkruan Bardhi./albeu.com

 


Shtuar 11.04.2022 18:50