Nga sulmi rus mbi maternitet te refuzimi i SHBA për të transferuar avionët polakë në Ukrainë, gjithçka duhet të dini për ditën e 14-të të luftës

Më poshtë albeu.com ju ka sjellë një përmbledhje të zhvillimeve kryesore sot, në ditën e 14 të pushtimit rus të Ukrainës.

Një spital për fëmijë dhe maternitet në qytetin port juglindor të Mariupolit thuhet se u godit nga një sulm ajror rus; të paktën 17 persona janë plagosur.

Banorët e qytetit thuhet se nuk kanë akses në ushqim, ujë, energji elektrike apo gaz. Janë hapur varreza masive për të vdekurit.

Bombardimi i spitalit ka shkaktuar dënime të forta nga shumë kënde, duke përfshirë Kombet e Bashkuara, Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Vatikanin.

Në një konferencë të përbashkët shtypi, ministrat e jashtëm të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe i rezistuan përsëri lutjeve ukrainase për një zonë ndalim-fluturimi, duke thënë se “qëllimi i tyre është t’i japin fund luftës, jo ta zgjerojnë atë”.

Më shumë se 500 ukrainas kanë vdekur dhe mbi 900 janë plagosur, sipas vlerësimeve të fundit nga zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut.

SHBA-ja ka refuzuar propozimin e Polonisë për të transferuar avionët e saj luftarakë në Ukrainë përmes një baze ajrore amerikane në Evropë, duke e cilësuar atë si “rrezik të lartë”.

Ushtria britanike thotë se një numër i vogël i ushtarëve të saj nuk i janë bindur urdhrave dhe kanë shkuar për të luftuar në Ukrainë./albeu.com


Shtuar 9.03.2022 22:44