Transportoi 4 kosovarë në mënyrë ilegale, e pëson 51 vjeçari banues në Belgjikë

Policia e portit në Durrës ka arrestuar një 51 vjeçar pasi u kap duke transportuar 4 shtetas kosovarë në mënyrë të jashtë ligjshme.

Policia ka proceduar penalisht 4 shtetasit kosovarë, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror” të cilët janë ndaluar në një mjet furgon tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. N..

51 vjeçari do i ndihmonte të kalonin në mënyrë të kundërligjshme kufirin e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet Pikës Kufitare të Portit të Durrësit, kundrejt fitimit, duke përdorur dokumente të ngjashme me të disa shtetasve të tjerë.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. N., 51 vjeç, banues në Belgjikë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Gjithashtu u proceduan penalisht për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”, shtetasit kosovar: A. H., 35 vjeç, B. D., 33 vjeçe, L. M., 26 vjeç dhe S. Zh., 40 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dokumentet e përdorura nga këta shtetas dhe automjeti me të cilin po transportoheshin.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 14.03.2021 10:19